Kosova kishte predispozitat për një marrëveshje ekonomike me Serbinë vite më parë nëse nuk do ishin shfaqur pretendimet e opozitës për pazare territoriale mes palëve. Presidenti Hashim Thaçi falënderon Amerikën për paktin e 4 shtatorit ndërsa indirekt fton ish-kryeministrin Albin Kurti të kërkojë falje për akuzat ndaj tij.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përshëndetur marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, dhe ka shprehur pendesë që pengesat e brendshme politike e shtynë për vite me radhë.

Në një dalje për shtyp, kreu i shtetit ia adresoi meritat presidentit Donald Trump dhe emisarit të tij të posaçëm, Riçard Grenell, për ndërmarrjen diplomatike më serioze të dy dekadave të fundit.

Thaçi tha se Shtetet e Bashkuara dëshmuan se e dëshirojnë lirinë, shtetin dhe integrimin europian të Kosovës, por edhe akuzat e pabaza të kundërshtarëve të dikurshëm të akordit.

Thaçi: Kjo ishte ndërmarrja diplomatike. Hasem në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizimin në Shtëpinë e Bardhë, të gjitha këto u treguan të rrejshme, të pa qëndrueshme dhe paragjykuese.

Sipas Thaçit, një skenë politike më unitare në Kosovë do i kishte kursyer vendit dy-tri vite negociata sikur të ishte tërhequr në kohë nga teoria se një marrëveshje do përfundonte me shkëmbime territoriale në disfavor të palës kosovare.

Thaçi: U pa se nuk ka pasur thika në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka pasur as harta dhe ndarje të Kosovës… Prandaj ata që kanë hedhur akuza të tilla i ftoj që t’i kërkojnë falje qytetarëve dhe kombit për injorancën që e kanë treguar por edhe në të njëjtën kohë edhe për konfuzionin dhe mashtrimin që kanë pretenduar t’ua sjellin qytetarëve të Kosovës.

Thaçi shtoi se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, mirëqenia sociale, projektet infrastrukturore dhe identifikimi i të zhdukurve të luftës kanë qenë prioriteti i vetëm shtetëror.

Ndërsa për shqetësimin e ngritur nga Liga Arabe dhe Turqia, rreth pikës që parashikon njohjen e ndërsjellë me Izraelin, presidenti kosovar tha se kjo e fuqizon Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

Thaçi: Unë jam në kontakt me presidentin Erdogan. Kam diskutuar me telefon dhe kjo njohje nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik, miqësor e vëllazëror me Turqinë. Tani do të kemi aleat edhe më të mëdhenj dhe më të fuqizim në rrafshin e fuqizimit global të shtetit të Kosovës.

Presidenti Thaçi kërkoi unitet të gjithë spektrit politik pozitë-opozitë në implementimin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik me Serbinë, pasi çdo vonesë do i kushtonte vendit dhe do cenonte punën për konsolidimin e tij brenda dhe jashtë vendit.