Thaçi dhe Hoti: Jo dialog teknik, por politik për njohje reciproke

Thaçi dhe Hoti: Jo dialog teknik, por politik për njohje reciproke

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thonë se objektivi i dialogut me Serbinë është njohja reciproke.

Pas një takimi ndërmjet Thaçit dhe Hotit, dy krerët shtetërorë thanë se procesi i dialogut – që rifilloi më 16 korrik në Bruksel – nuk duhet të rrëshqasë në nivel teknik.

“Ne duhet të qartësojmë raportin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, të ndodhë njohja reciproke, dhe në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbresë në nivel teknik sepse raporti Kosovë-Serbi është kryekëput politik. Niveli teknik nënkupton status quo dhe respektim i agjendës së Serbisë”, tha presidenti Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Hoti tha se beson që marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. Sipas tij, përmbyllja e këtij procesi – që nisi më 2011 - mund të përmbyllet në muajt e ardhshëm, pasi siç u shpreh ai ka një “momentum të mirë” për këtë.

“Unë mendoj që është një momentum shumë i mirë sepse kemi vëmendje të BE-së, të vendeve kyçe të BE-së, të Gjermanisë dhe Francës në veçanti, por edhe SHBA-së. Besoj shumë që në muajt e ardhshëm do ta përmbyllim këtë proces me sukses”, tha Hoti.

Presidenti Thaçi tha se një marrëveshje finale me Serbinë, që do të përmbante njohje reciproke, nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Aty ku nuk janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës jam skeptik se mund të ndodhë njohja reciproke apo e di saktësisht e di që nuk ndodh. Andaj, jetike për ne si Kosovë është që në tavolinë të jetë SHBA-ja, natyrisht bashkërisht me Bashkimin Evropian”, tha presidenti Thaçi.

Më 16 korrik, kryeministri Avdullah Hotu takua në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky ishte takimi i parë, pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut.

Kosove Rajoni Kosovë dialogu kosove-serbi

EMISIONET