Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar seancën e vlerësimit të masës së arrestit me burg për shtetasit Gëzim Balla dhe Gazmir Harremi.

Ata u arrestuan së bashku me Haziz Musain, Xhulio Musain, Danjel Xhelilajn dhe Endri Karajn gjatë operacionit policor të koduar “Kështjella”.

Prokurori i çështjes Neritan Hoxha i ka rikërkuar gjykatës masën “Arrest me burg” për Gazmir Harremin dhe Gëzim Ballën si pjestarë të grupit kriminal.

Sakaq Gjyqtari Tomorr Kullolli ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorit. Ky operacion u finalizua me sukses me arrestimin e 6 personave nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin e Focës Operacionale, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Gjatë operacionit “Kështjella” u sekuestruan 4 kilogramë e 215 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe një sasi kanabisi.

Goditja e veprimtarisë kriminale të trafikimit të drogave të forta u finalizua pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Elbasan.

Policia sekuestroi gjatë kontrollit në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, në një furgon që transportonte lëndë drusore 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 4 kilogramë e 215 gramë heroinë dhe një sasi kanabisi.