Testimi për infeksionin COVID-19 dhe lëshimi ishpejtë i këtyre rezultateve janë thelbësore për kontrollin e pandemisë, por testimi në popullatën e përgjithshme nuk është gjithmonë i dobishëm, thanë sot zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetit.

Epidemiologu i lartë i OBSH-së  Dr. Maria van Kerkhove tha se agjensia e Kombeve të Bashkuara  kishte rekomanduar që rastet e dyshuara të testohen, si dhe njerëzit që kanë rënë në kontakt me ta, nëse është e mundur, megjithatë duhet të vihet theksi te njerëzit me simptoma të virusit.

Dr. Mike Ryan, drejtuesi i programit të urgjencës së OBSH-së, vuri në dukje se testet mbi popullatën e përgjithshme thithnin një sasi të madhe burimesh.

Deklaratat e ekspertëve të OBSH vijnë pasi Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha këtë javë se personat e ekspozuar ndaj COVID-19 pa simptoma mund të mos kenë nevojë të ekzaminohen, duke habitur mjekët dhe politikanët dhe duke shkaktuar pretendimet se kjo direktivë ishte e motivuar politikisht.