Tirana zyrtare ka reaguar për tërmetin e fuqishëm që goditi sot ishullin grek të Samorës dhe Izmirin e Turqisë, duke shkaktuar deri më tani 12 viktima dhe më shumë se 400 të plagosur.

Mesazhe solidariteti kanë ardhur nga kreu i shtetit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi apo edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi.

Ata kanë shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave të tërmetit, teksa kanë uruar shërim të shpejtë edhe për të plagosurit.

Presidenti i Republikës Ilir Meta reagon pas tërmetit të fuqishëm që goditi mesditën e sotme Turqinë dhe Greqinë.

Meta i ka shprehur ngushëllimet popullit turk dhe atij grek për viktimat.

Ilir Meta: Thellësisht i tronditur nga tërmeti që goditi këtë mesditë ishullin grek të Samosit dhe preku rëndë edhe qytetin e Izmirit.Lëkundjet e tërmetit u ndjenë në 4 shtete, më së shumti në Turqi e Greqi, por edhe në Bullgari deri edhe në Shqipëri.

Ky është një moment solidariteti njerëzor dhe reflektimi për t’u qëndruar pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Turqisë dhe Greqisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq Turk dhe Grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre.

Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike me të gjithë kapacitetet e mundshme të saj.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, me anë të një telegrami është drejtuar homologëve të tij në Greqi dhe Turqi. Ai është shprehur se u trondit në momentin kur mori lajmin rreth tërmetit.

Ruçi: Në këto çaste të rënda, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë populli shqiptar, janë pranë popujve tanë miq e fqinj dhe shprehim dhimbjen e solidaritetin me qytetarët dhe familjarët e viktimave”.

Gjithashtu edhe kryetari i PD Lulzim Basha ka dërguar  ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, ndërkohë që ka shprehur solidaritetin me populin turk.

Basha: Po ndjek me shqetësim të madh lajmet tronditëse nga Turqia. Ngushëllimet e mia më të thella janë për familjet e viktimave të tërmetit. Ju uroj shërim të plagosurve, forcë, kurajo dhe solidaritet me popullin dhe autoritetet e Turqisë në përballimin e kësaj tragjedie të rëndë.

Edhe kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave të tërmetit, ndërkohë që ka thënë se biseda miqësore mes kryeministrit të Greqisë dhe Presidentit turk është një dritë mirësie mes dy popujve.

Rama: Trishtim e keqardhje për goditjen nga tërmeti në Turqi e Greqi dhe lutje për viktimat e solidaritet vëllazëror me familjet e tyre në këtë ditë kaq të zymtë, biseda mes udhëheqësve të dy vendeve një dritë mirësie mes të dy popujve dhe shprese për të nesërmen e vetë Europës.

Kryemadhi: Shpreh keqardhjen e thellë për pasojat e rënda të tërmetit të sotëm në Greqi dhe Turqi, uroj për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate të rëndë të shkaktuar nga fatkeqësia natyrore.
Jemi pranë popullit turk dhe grek në këto momente të vështira.
Ju shpreh ngushëllime të ndjera familjeve të viktimave dhe bashkohemi në lutje për shërim të shpejtë të të plagosurve dhe tejkalimin e kësaj situate të rëndë me sa më pak pasoja.

Një tërmet me magnitudë 6.6 ballë dhe epiqendër Detin Egje tronditi mesditën e sotme Turqinë dhe Greqinë.

Dëmet më të mëdha duket se janë në qytetin turk të Izmirit ku raportohen disa godina të shembura.