Tensione gjithmonë e në rritje ato mes Turqisë dhe Greqisë.

Disa avionë luftarakë turq kanë fluturuar këtë të premte mbi ishujt grekë, duke rritur nivelin e tensionit në Athinë.

Sipas mediave helene, avionët luftarakë, F-16, shkelën rajonin e informacionit fluturues të Athinës (FIR) pa paraqitur më parë planet e fluturimit dhe duke fluturuar mbi ishujt e Oinousses dhe Panaghia në një lartësi prej 7620 metrash, në orën 12:24.

Avionët luftarakë turq u njohën dhe përgjuan nga avionët grekë sipas rregullave ndërkombëtare, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare. 

Ndërkohë në brigjet e Detit të Zi, forcat e armatosura turke kanë testuar edhe sistemet e mbrojtjes S-400, prodhim rus.

Nëse një gjë e tillë vërtetohet atëherë mund të kemi tensione mes Ankarasë, NATO-s dhe SHBA-ve pasi këto të fundit kundërshtojnë vendosmërisht blerjen e armatimeve nga Moska duke e konsideruar një rrezik për Aleancën Veri-Atlantike.

Uashingtoni reagoi vitin e kaluar duke pezulluar pjesëmarrjen e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35 ndërsa kërcënoi edhe me sanksione.

/a.r, OraNews