Tenderat pa garë të Dibrës, Dionis Imeraj në 1 vit 25 kontrata pa konkurrim

Vetëm në një vit e 3 muaj ka nënshkruar 35 tendera nga të cilat pjesa më e madhe janë pa garë. Edhe pse pa shkelje ligjore, në pjesën dërrmuese të prokurimeve ose ka marrë pjesë vetëm fituesi, ose janë skualifikuar të gjithë veç fituesit.

Institucionet prokurojnë përmes tenderave shuma të konsiderueshme parash dhe shpesh herë pa garë, pavarësisht argumenteve.

Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe Bashkia e Dibrës e cila për rreth 1 vit, prej zgjedhjes së kryetarit të ri të bashkisë  rezulton të ketë zhvilluar 35 kontrata, 25 prej të cilave vetëm një një kompani në garë apo me skualifikimin e të gjithëve veç fituesit.

Referuar të dhënave të bëra publike në Agjencinë e Prokurimeve Publike në 11 prokurime ka qenë pjesëmarrës vetëm 1 operator që automatikisht është shpallur edhe fituesi.

Madje për tenderin e kontraktuar nga Drejtoria e Spitalit Rajonal Dibër, me objekt “Riparim Sistemi Oksigjenimi” kompania Gazra Teknike Shqiptare e vetme në garë është shpallur fituese me vlerën prej 2 milionë e 591 mijë e 500 lekë, e barabartë me fondin limit.

Ndërkohë që në 14 raste të tjera kanë marrë pjesë disa kompani por janë skualifikuar për mosplotësim pikash, kriteresh apo që nuk kanë paraqitur ofertë duke lënë kështu në garë vetëm një subjekt, çka i siguronte në mënyrë automatike fitoren.

Në këtë mënyrë është vepruar edhe për Furnizimin me ujë nga burimi i Gramës për ujësjellësin e Peshkopisë, faza e parë për të cilin kanë shfaqur interes 6 operatorë.

Por 4 prej tyre janë skualifikuar për mosplotësim kriteresh ndërsa një tjetër pasi nuk kishte paraqitur ofertë.

Në këtë mënyrë Gjoka Konstruksion ka fituar kontratën me vlerën e ofertuar prej 614.2 milionë lekë.

Bashkia e Dibrës, nën drejtimin e Dionis Imeraj për 35 procedurat e zhvilluara ka prokuruar më shumë se 810 milionë lekë pa TVSH në vetëm 1 vit.

Vendi Lajme tendera Aktualitet kontrata bider dionis imeraj konkurrim

EMISIONET