Twitter do të pranojë ofertën e Elon Musk

Twitter do të pranojë ofertën e Elon Musk

Bordi i Twitter duket se është dorëzuar përballë miliarderit Elon Musk dhe sipas disa raporteve nga mediet ndërkombëtare, platforma sociale mund t’i shitet shumë shpejt miliarderit.

Sipas Bloomberg, bordi i Twitter ka nisur negociatat e marrëveshjes me Musk që prej së dielës dhe pretendohet se po hidhen hapat e fundit drejt shitjes së platformës te CEO i Tesla-s.

Musk vuri në dijeni aksionarët e medies sociale për detajet e financimit në ofertën e tij të blerjes prej 43 miliardë dollarësh.

Vendimi i kompanisë për t'u angazhuar në negociatat me Musk nuk do të thotë se ajo do të pranojë ofertën e tij prej 54,20 dollarë për aksion.

Dhjetë ditë më parë, bordi i Twitter kundërshtoi propozimin e Musk duke marrë masa shtesë nga të ashtuquajturat blerje armiqësore.

Në përgjigje të tyre Musk tha se do të shkarkonte bordin e gjigantit të medieve sociale, nëse ai do të mund ta blinte platformën.

Musk i cili ka mbi 81 milionë ndjekës, Musk u bë aksioneri më i madh i Twitter, duke blerë 9% të tyre në fund të marsit.

Aksionet e Twitter janë rritur me 25% që kur Musk nisi ofertën e tij për ta blerë në fillim të prillit.

Biznesmeni ka rreth 260 miliardë dollar, ndërsa në treg, Twitter vlen rreth 37 miliardë.

Nën moton e tij si një absolutist i fjalës së lirë, Musk është zotuar që të çlirojë platformën nga censura.

Në javët e fundit, ai ka shprehur se do të bëjë ndryshime të shumta në platformën sociale duke lehtësuar, apo rikthyer llogaritë e bllokuara nga Twitter, në të cilat bën pjesë edhe ish-presidenti Donald Trump.

Mbështetësit e republikanit mbushin komentet e postimeve të Elon Musk duke i bërë thirrje këtij të fundit që të rikthejë ish-presidentin, të cilin Twitter e pezulloi përfundimisht për shpërndarje të konspiracioneve.

 

EMISIONET