Pas të dielës duket se vaksinimi për moshat e treta në Tiranë ka ndalur. Në stadiumin “Air Albania” prej tre ditësh të moshuarit paraqiten me dëshirën për tu vaksinuar, por emri i tyre nuk është në listë. Përfaqësues të fushatës së vakisnimit u komunikojnë që të paraqitne të në fundjavë.

Stadiumi “Air Albania” edhe këtë të martë priti stafet mjekësore për ti vaksinuar, duke mbajtur të mbyllura dyert për te moshuarit.

Këtë zotëri fillimisht nuk e kanë pranuar pasi nuk kishte rekomandim . Më pas, pasi e siguroi dokumentin nga mjeku i familjes, sërish nuk e vaksinuan.

“Të bëj vaksinën. Kam tre ditë që kam ardhur rresht dhe më thonë ik atje. Vajta dhe mora atë shënimin nga doktoresha e lagjes. Erdha sot këtu dhe më thotë një doktoreshë që do të presësh, nga e diela.”

Ky nuk ishte rasti i vetëm. Të gjithë të moshuarve mbi 80 vjeç iu thanë që të paraqiten në stadium të dielën.

“Erdha të pyes kur do të bëhen vaksinat, të dielën thanë.”

Me ironi luten të mbetet dhe ndonjë dozë për ta.

“Të dielën hajdeni se mund ta bëni, po të ketë vënde, injeksione, se 7 mijë janë ato.”

Nuk ka një informacion zyrtar se kur do të vijohet me injektimin e dozave anti-Covid te personat mbi 80 vjeç.

Këtë martë u vaksinuan mjekë, infermierë dhe ekipi i Urgjencës Kombëtare.

Deri tani janë vaksinuar rreth 7000 persona, ndërsa vendi ynë pret të vijnë doza të tjera vaksinash anti-Covid nga marrëveshja me Pfizer.