Sistemi shëndetësor ka kaluar në gatishmëri për ti bërë ballë një përkeqësimi  të mundshëm të pandemisë pas rifillimit të shkollës më 14 shtator. Ministrja e Shëndetësisë në një mesazh me këtë rast bëri thirrje për zbatimin e masave anti-covid, por edhe për një bashkëpunim më të madh mes prindërve dhe mjekëve për ta bërë shkollën institucion të sigurt për shëndetin e fëmijëve.

Strukturat shëndetësore janë vendosur në gjendje gatishmërie për tu përballur me një përkeqësim të mundshëm të situatës së pandemisë për shkak të rifillimit të shkollës.

Manastirliu: Periudha që po afron nuk do të jetë e lehtë dhe përveç forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, për të cilat kemi marrë masa në planin e vjeshtë-dimrit, kërkon gjithashtu angazhimin e të gjithë qytetarëve, veçanërisht çdo prindi, për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë secili prej nesh, për të frenuar përhapjen e Covid-19. Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmeri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar. 

Në një mesazh para rikthimit të nxënësve në klasa, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për zbatimin e masave anti-covid.

Manastirliu:Duhet të mësohemi me maskën. Për çdo shqetësim, duhet të kontaktoni koordinatorin e shkollës, i cili sinjalizon menjëherë strukturat shëndetësore. Të kontribuojmë të gjithë për shkolla më të sigurta, për shëndetin e fëmijëve tanë, të mësuesve dhe të gjithë komunitetit.

Manastirliu evidentoi faktin se tani më shumë se asnjëherë nevojitet bashkëpunimi i prindërve me mësuesit dhe personelin shëndetësor.

Manastirliu: Bëhuni bashkëpunëtorët e parë me mjekun e familjes. Sinjalizojeni atë nëse ka diçka që shihni se nuk shkon te fëmija juaj. Matini çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë.

Basha i kërkon qeverisë të testojë mësuesit për Covid

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpreh shqetësimin për masat gjysmake të marra sipas tij nga qeveria për fillimin e vitit të ri shkollor.

Basha nënvizon se ruajtja e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve duhet të jetë parësore në situatën kur numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë.

Për këtë, ai i kërkon edhe njëherë qeverisë të nisë urgjentisht testimin masiv të mësuesve para fillimit të vitit të ri shkollor.

Basha: Identifikimi dhe parandalimi i rasteve me COVID-19 nga stafi pedagogjik është tejet i rëndësishëm për të parandaluar zinxhirin e infektimit. Veç kësaj, procesi mësimor me disa turne e bën të domosdoshme rritjen e numrit të mësuesve në dispozicion të zhvillimit normal të shkollës.

Në kushtet aktuale të zhvillimit të mësimit, çdo mësues do të ketë më shumë ngarkesë për shkak të ndarjes së klasave në disa turne.

Ndaj, veç kujdesit për shëndetin,  Basha thekson se qeveria duhet të marrë masa edhe për rritje të shpërblimit për stafin mësimor.