Ky ka qenë mëngjesi i së mërkurës pranë Drejtorisë Vendore të Shërbimeve të Transportit Publik në qyteti ne Korçës.

Dhjetëra qytetarë po presin prej së paku tre ditësh për të marrë shërbimin që ofron kjo drejtori, por deri paraditen e së mërkurës kjo gjë ka qenë e pamundur.

Shkak për mosfunksionimin e kësaj zyre mësohet se është bërë rënia e sistemit.

Edhe pse në kohë pandemie, dhe në shkelje të rregullave anti-Covid, qytetarët thonë se janë të detyruar të presin për të mbaruar punë, edhe për shkak të afateve që duhen bërë disa pagesa.

“Distanca është e domosdoshme por janë kushtet që i detyrojnë të rrrinë ashtu. Është dita e tretë që vij dhe nuk bëj dot pagesën se ishte dera mbyllur. Do presim të rrallohen njerëzit se aty nuk rrihet. O do sëmuresh ose do të paguash taksat e makinës, kjo është zgjidhja”.

Të mërkurën sistemi edhe pse me probleme, është kthyer në funksionim, por për shkak se në punë është vënë vetëm një sportel, fluksi i qytetarëve ka qenë përsëri i lartë.

Në këto sportele qytetarët kryejnë shërbime të ndryshme, nga pagesat e taksave të makinës, deri tek dokumentet për shitjen dhe blerjen e makinës, targat e shërbimet e tjera.