Taksa e Sheshtë, Duka: Do të taksohen të gjithë njëlloj, zhduket informaliteti

Taksa e Sheshtë, Duka: Do të taksohen të gjithë

Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste në një intervistë për Ora News ka sqaruar programin e opozitës për Taksën e Sheshtë.

Sipas Dukës, taksa e sheshtë i takson të gjithë njëlloj dhe lufton informalitetin në vend. Ai ka vijuar më tej duke shtuar se falë këtij programi bizneset do të arrijnë të marrin frymë.

Duka: Taksa e Sheshtë nuk është shpikje e re, sepse është testuar edhe më parë. Ka vende të ndryshme të botës që kanë taksën e sheshtë. Taksa e sheshtë është e djathtë si ide, sepse i takson të gjithë njëlloj, nuk ka pabarazi. E dyta që mendohet se sjell pozitivitet është se zhduk në njëfarë mënyre informalitetin. Të gjithë e dimë që në shumë raste bizneset që i kanë rrogat më të larta bëjnë dy lloje borderosh dhe kjo sjell informalitet. Gjithashtu nëpërmjet taksës së sheshtë mendohet që kanë të ardhura më shumë për biznesin, i cili nuk ka ku t’i çojë paratë përveçse t’i investojë. Kështu i jep njëlloj frymëmarrje dhe shtohet numri i të punësuarve në fund të fundit. Edhe ai zotimi që ka marrë PD për 110 mijë vende pune, është pikërisht nëpërmjet frymëmarrjes së bizneseve vendase dhe ardhjes së bizneseve të huaja në Shqipëri.

Nuk bëhet fjalë për administratat publike, sepse në fund të fundit kanë një status që nuk mund t’i luash, përveç rasteve kur ka thyerje disiplinore ose problematika të ndryshme. Nuk është kjo që lëviz balancën e punësimit, bëhet fjalë për të gjetur mënyrat që biznesi të krijojë vende pune. Mendohet që nëpërmjet këtij programi që paraqet PD do të mund të kemi frymëmarrje më të mirë të biznesit vendas, si dhe të tërheqin investimet e huaja.

Intervistoi në studio Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.

Vendi Ekonomi Lajme agron duka Aktualitet PAA Intervista në Ora News taksa e sheshte

EMISIONET