Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka nisur mëngjesin e sotëm me një takim me votuesit për here të parë në zonën e Laprakës në Tiranë.

Sipas Kryemadhit, forca politike që ajo përfaqëson ka prioritet përfshirjen e të rinjve në politikë dhe vendimarrje.

Kryetarja e LSI shtoi gjithashtu se, “duhet të jemi të vetëdijshëm që vota e një të riu është më e rëndësishme se vota e prindit, sepse i jep forcën fëmijës për të drejtuar dhe për të marrë fatet e veta në dorë, dhe prandaj ne fokusohemi gjithmonë tek të rinjtë, u japim mundësi atyre dh gjithmonë energjia dhe shpresa e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë qenë të rinjtë”.

Monika Kryemadhi: Hartimi i politikave të LSI ka të bëjë në radhë të parë jo vetëm me arsimin, por me një arsim cilësor, në mënyrë të tillë që t’ju garantojë një punësim të mirë paguar.

Në të gjitha takimet që kemi pasur, kudo që shkojmë në çdo cep të Shqipërisë, një nga problemet kryesore që kanë prindërit është largimi i të rinjve nga Shqipëria, sepse mundësitë për punësim janë shumë të vogla.

Ashtu sikurse mungesa e kulturës politike është pjesë e jetës së përditshme dhe ne shikojmë politikën e konfliktit, politikën e arrogancës dhe asnjëherë nuk shikojmë një perspektivë pozitive për të rinjtë, pra për të krijuar hapësira që ata jo vetëm të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, por të krijojnë edhe një mirëqenie ekonomike.

Një nga problemet kryesore që ka sot Shqipëria është një arsim jo cilësor, por nga ana tjetër edhe mungesa e konkurrencës në tregun e punës, apo edhe cilësia e një diplome, e cila nuk është konkurruese jo vetëm në rajon, por edhe në vende të tjera.

Ndërkohë që, ne kemi shumë të rinj dhe të reja, të cilët pavarësisht mundësive që kanë pasur, ata kudo që kanë vajtur, kanë pasur një vlerësim jo vetëm për shkak të aftësive të tyre, por kanë pasur edhe mundësinë për të krijuar rritje profesionale, por ka pasur edhe të përfshirë në jetën politike, qofshin ato edhe në parlamentet e vendeve të tjera.

Ndërkohë që, për Lëvizjen Socialiste për Integrim, angazhimi i të rinjve është një nga pikat kryesore, sepse krijimi i hapësirave të të rinjve për t’u përfshirë në politikë, por jo vetëm në politikë, por edhe në vendimmarrje ka qenë një nga premtimet e mbajtura më shumë se cdo gjë tjetër.

Vetëm në LSI ne kemi gjashtë breza politikanësh të rinj, të cilët janë jo vetëm drejtues, por edhe vendimmarrës. Një nga pikat tona kryesore dhe rëndësi për LSI-në ka më shumë vota e një votuesi për herë të parë, pasi ka më shumë rëndesë politike, pasi kërkon të bëjë ndryshimin, sesa vota e një deputeti, e një ministri, e një drejtori. Sepse vota e një të riu është vota e shpresës dhe ajo që ne duam të ofrojmë sot më shumë është jo vetëm angazhimi i të rinjve, por edhe përfshirja e të gjithëve ne.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që vota e një të riu është më e rëndësishme se vota e prindit, sepse i jep forcën fëmijës për të drejtuar dhe për të marrë fatet e veta në dorë, dhe prandaj ne fokusohemi gjithmonë tek të rinjtë, u japim mundësi atyre dh gjithmonë energjia dhe shpresa e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë qenë të rinjtë.

Kur them shpresë, nuk them për LSI-në, por për vetë të rinjtë, sepse vetëm kështu mund tu krijoni hapësira moshatarëve tuaj, të rinjve dhe të rejave për të qenë të gjithë bashkë, për tu konsoliduar si brez dhe për të ecur përpara, për ta zhvilluar dhe për ta bërë Shqipërinë një vend dinjitoz për në Bashkimin Evropian.