Ndërsa pret që të marrë detyrën e ministres së jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një videokonferencë me ushtarakët shqiptarë në misione jashtë vendit. Ajo u ka garantuar atyre se do të vijojë të mbetet avokatja më e flaktë e Forcave të Armatosura.

Pak ditë para se t’i dorëzojë detyrën si Ministre e Mbrojtjes kolegut të saj Niko Peleshi, Olta Xhaçka ka zhvilluar bisedën e fundit me përfaqësuesit më të lartë në NATO dhe misionet tona paqeruajtëse në Kosovë, Afganistan, Letoni, Sudanin e Jugut dhe Bosnje-Hercegovinë.

Veç urimit për festat e fundvitit, ministrja e Mbrojtjes është interesuar edhe për shëndetin e efektivëve dhe familjarëve të tyre, në këto kohë të vështira pandemie.

Gjatë bisedës Ministrja u tha efektivëve se tek ajo do të gjejnë gjithmonë, përveçse një mike shumë të mirë edhe avokaten e tyre më të “flaktë”.

Xhaçka ka shprehur mirënjohjen për kontributin e dhënë nga çdo efektiv i FA, brenda dhe jashtë vendit.

Në takimin online, ku kanë marrë pjesë drejtues të forcave, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor prof.  asoc.  Bajram Begaj,  ka siguruar vijimin e vëmendjes për efektivët dhe familjarët e tyre. 

Aktualisht FA përfaqësohet me 200 efektivë në kuadër të misioneve të NATO-s dhe BE-së në disa vende të botës.