Ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, shpreh shqetësimin e tij, lidhur me sekuestrimin e telivizioneve RTV Ora dhe Ora News.

Përmes një postimi në Facebook, Balliu shkruan se me administrimin nga qeveria, gazetarët ndjehen të pasigurtë dhe jo të lirë për të bërë punën e tyre.

Sipas tij, denosncimi se “siguria” e televizioneve do t’i dorëzohet kompanisë shtetërore Illyrian Guard, do të thotë se gazetarët do të punojnë të rrethuar nga policët e qeverisë.

Për Balliun, çdo vonesë e drejtësisë është një hap më shumë drejt mbylljes së gojës së gazetarëve.

Postimi i Balliut në Facebook

”Këto ditë kam ndjekur me shqetësim situatën e krijuar pas vendosjes nën sekuestro të dy televizioneve kritike me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës, RTV Ora dhe Ora News. Me administrimin nga qeveria të televizioneve, gazetarët ndjehen të pasigurtë dhe jo të lirë për të bërë punën e tyre.

Janë shumë shqetësuese për lirinë e medias denoncimet se “siguria” e televizioneve do t’i dorëzohet kompanisë shtetërore Illyrian Guard. Kjo do të thotë se gazetarët do të punojnë të rrethuar nga policët e qeverisë. Me një presion të tillë psikologjik dhe pa garanci për marrjen e pagave, asnjë gazetar dhe asnjë media nuk mund të ruajë pavarësinë editoriale.

Është një shërbim ndaj lirisë së medias hetimi me shpejtësi dhe pa zvarritje i çështjes që ka krijuar këtë situatë të paprecedentë për një media! Ky hetim duhet të jete plotësisht i pavarur nga ndikimi i qeverisë.

Çdo vonesë e drejtësisë është një hap më shumë drejt mbylljes së gojës së gazetarëve.”