Në kujtimet e tij, për një takim që bëri pas luftës së Vietnamit me ish-armikun e tij, gjeneralin vietnamez Xhap, Maknamara, i cili kishte qenë Sekretar i Mbrojtjes dhe hartuesi i strategjisë së luftës më të përgjakshme që bëri SHBA pas vitit 1945, tregon sesi një nga oficerët vietnamezë te delegacionit i thotë: Pse ishte nevoja të na pushtonit me ushtarë kur na kishit pushtuar me xhinset, Coca-Cola-n dhe filmat. Ne të gjithë përpiqeshim t’ju imitonim dhe ju shikonim si idhuj. Kurse ju na detyruat t’ju luftonim.

Është ajo forcë e SHBA që strategjisti amerikan Joseph Nye, e quan në librin me të njëjtin titull Soft Power.

SHBA është një perandori atipike. Më shumë se me forcën e armëve (të cilat nuk heziton t’i përdorë kur e shikon të nevojshme), influenca e saj përhapet nga modeli amerikan i jetesës, i veshjes, ushqimit dhe shoqërisë. Xhinset mund të jenë shpikur në Gjenovë por brandi amerikan i bën të vetat dhe i përhap në botë; uiski mund të jetë anglez dhe birra gjermane, por etjen për ta pirë ta japin filmat amerikanë. Por mbi të gjitha është modeli i saj qeverisës.

Është ky model që sipas librit të Niall Ferguson “Cash Nexus”, brenda viteve 1972-1999, periudhë kur lidershipi amerikan ka qenë pothuaj i pakontestueshëm, vendet me qeverisje të lirë të dyfishohen nga 43 në 88; vendet gjysmë të lira nga 34 në 53, dhe ato diktatoriale të bien nga 67 në 50.

I urryer, i nëmur, i adhuruar, i imituar, modeli amerikan ka qenë më dominuesi në botë dhe i ndjekuri. Me defektet dhe atributet e tij, ai vazhdon e mbetet një pikë referimi dhe objektiv për shumë njerëz që aspirojnë demokracinë.

Rritja e frymës së lirisë me burim modelin amerikan, ka bërë që shumë liderë që aspirojnë për diktatorë apo autoritaristë, ta mbajnë këmbën në frena. Është kompleksi i modelit amerikan më shumë sesa fuqia e tij e pashoqe ushtarake, që e ka bërë botën më plurale dhe kombet më të lira. Dhe këtë e tregon fakti se konfliktet civile si shprehje e kërkesës për emancipim dhe liri, në fundshekullin e shkuar kanë qenë 5 herë më shumë se luftërat mes shteteve.

Rast i mbrëmshëm me sulmin e turmave mbi Capitol Hill bëri që të diskutohet rishtas ai model. Dikush e cilëson si pikë të dobët dhe të tjerë si shenjë demokracie. Në fakt është vetëm një model amerikan vështirë i kopjueshëm dhe kuptueshëm nga të tjerët, por funksional dhe i dëshirueshëm.

Dje SHBA-të, ashtu si në katër vite treguan se pavarësisht një të çekuilibruari ne krye të shtetit, sistemi funksionoi dhe nuk lejoi shthurje as në politikën e jashtme dhe as atë të brendshme.

Pavarësisht se turmat sulmuan në emër të lirisë (dhe kjo nuk është liri në kuptimin që i japin vandalët banalë shqiptarë), Amerika vendos kufirin mes lirisë së njërit dhe tjetrit, të cilin nuk mund ta shkelësh.

Dje për shumë amerikanë ishte e drejta e turmave që mendonin se liria po ju prekej që ushtronin të drejtën të hynin në pallatet e fuqisë, sikurse policia dhe deep state ishte e mendimit që liria dallon nga anarshia. Ndaj askush në kusurin e botës nuk e mendon sesi një nënpresident të kundërshtojë shefin e tij.

Modeli amerikan dhe protesta e tyre është vështirë e kuptueshme për ne, madje edhe për evropianët. Për më tepër kur ka të tillë që sulmin mbi pemë zbukurimesh, semaforë apo manipulimin nga karavidhe politike e quan duf lirie. Ndaj as mund të gjykohet prej nesh.

E vetmja gjë që rimësuam është se sistemi amerikan nuk është një sistem i lidhur me emra por me koncepte dhe principe; se ngjarja e djeshme jo vetëm që nuk ia ul shkëlqimin por përkundrazi, tregoi dje dhe në gjithë ditët që pasuan zgjedhjet e nëntorit, që një njeri i fuqishëm, gati perëndi, nuk mund të sfidojë një sistem solid demokratik, as që ta detyrojë të vjedhë vota dhe as të rrëzohet. Është thjesht një shembull shtesë se ende amerikanët janë të paimitueshëm dhe për shumë kohë të tjera të pa arritshëm.

/dritare.net