Drejtori i Informacionit I RTV Ora dhe Ora News, Brahim Shima paralajmëron zhvillime shumë të rëndësishme, brenda pak ditësh, të cilat do të zbulojnë të vërteta ndaj sulmit politik të RTV Ora dhe Ora News.

Në një intervistë në studion e Ora News me në studio gazetarin Sebastjan Zonja, Shima komentoi denoncimin e ish kryeministrit Sali Berisha për fshirjen e arkivës dhe serverit të televizionit.

“Mesaduket tendenca vjen për të eliminuar jo vetëm historikun. Frika vjen për atë çfarë nuk është dhënë dhe jo çfarë është dhënë” tha Shima duke siguruar që të gjitha materialet por dhe investigimet nuk do të ndalen pavarësisht këtyre prapaskenave.

“Nëse flasim për eliminim të sulmit politik atëherë këto prapaskena duhet të ndalojnë këtu. Nuk ka pse të provokohet pafundësisht për çdo gjë  që të bëhet. Tv Ora dhe Ora News është ekran nuk është dyqan dhe as prone”  

Intervista e plote


Ora News: Si e lexuat mesazhin e ish kryeministrit Berisha për sipas të cilit po kërkohet me ngulm sekuestrimi i arkivit dhe serverit të televizionit ORA NEWS?

Brahim Shima: Në radhë të parë çdo denoncim që vjen për nismat ndaj dy televizioneve ia vlen të falenderohet. Zoti Berisha është hera e dytë që publikon denoncimet. I pari ishte për “Iliryan Guard” e cila fatmirësisht nuk u realizua dhe e dyta çështja e arkivës.  

Ne informacione i kemi pasur underground por e kemi konsideruar si nismë proceduriale por mesaduket debate nuk ka qenë thjesht procedurial. Mesaduket tendenca vjen për të eliminuar jo vetëm historikun. Frika vjen për atë çfarë nuk është dhënë dhe jo çfarë është dhënë.

Dihet që serveri online është jashtë tepër i siguruar por dhe materialet ndër vite të televizioneve, investigimet në vijim apo materialet shkresore janë të mirëruajtura dhe ju siguroj që askush nuk mund ti cënojë.

Ora News: Çfarë do të thotë sekuestrimi i arkivës të një televizioni?

Brahim Shima: Është kujtesa e historikut 15 vjeçar. Pra unë nuk kam garanci që ai që do e marrë nuk I fshin të gjitha materialet që kam. Gjithkush mund të zhdukë një provë historike që është vënë me mund nga gazetarët ndër vite. Mjafton të cënohet vetëm kjo pjesë do të ishte një katastrofë.  Nuk ka sens. Është direkt futje në trurin e një televizioni dhe kjo është totalisht e papranueshme. Shpresoj që të mos çojnë deri në fund këtë nismë pasi do të ishte një shkelje flagrante. Ky është një rrezik që për ne nuk duhet të lejohet. Por siguroj që qoftë ato materiale që janë premtuar që do të publikohen, dhe ne e mbajmë fjalën qoftë dhe ato që janë në investigim janë të siguruara dhe nuk mund të preken.

Ora News: Në mesazhin e presidentit të YldonMedia Group, Ylli Ndroqi flitet për prapaskena ndaj dy televizioneve.  

Brahim Shima: Prej ditësh zoti Ndroqi nuk ndodhet në ambientet e televizionit pasi është administratori I shtetit. Prapaskenat kanë nisur që më 1 gusht dhe sulmin me Renea.  

Nisma për të ardhur me armë e blinda .. debate për ta sjellë ilirian Guard.. dhe debati për arkivat është një  formë prapaskene. Duket se diçka vazhdon të luhet underground ndërsa ne jemi fair.

Administratori i shtetit vazhdon punën e përditshme,  lajmet po, dhe nuk ka nevojë nëse do të flasim për drejtësi,  nëse flasim për eliminim të sulmit politik atëherë këto prapaskena duhet të ndalojnë këtu. Nuk ka pse të provokohet pafundësisht për çdo gjë  që të bëhet. Besoj të githë e kanë vënë re se TV nuk është marrë as me SPAK të paktën me çështjen e zotit Ndroqi. Nuk jemi marrë as me dosjen e zotit Ndroqi por me lajmet dhe duke denoncuar çdo rast që do të kërkohet të bëhet ndaj RTV Ora dhe Ora News.  Tv Ora dhe Ora News është ekran nuk është as dyqan dhe as pronë dhe në këtë rast jemi të detyruar. Falenderoj të gjithë ata që na mbështesin duke na paralajmëruar për nisma të tilla apo duke u ndaluar nisma të tilla.

Ora News: Keni deklaruar se nëse do të ketë cënime të linjës editoriale do ta bëni publike. A ka pasur cënime për linjën editorial?

Brahim Shima: Jo, vazhdoj të këmbëngul që jo.  Deri më sot nuk ka asnjë lloj cënimi, tentative për të ndryshuar linjën editoriale. Palët janë në vendin e tyre. Ashtu si nuk ka pasur ndërhyrje në lajme para gushti as sot nuk ka ndërhyrje në lajme, edhe pse është administratori i shtetit.

Besoj, dhe kam bindjen se kjo linjë do vazhdojë edhe sa i takon emisioneve që nisin në shtator.

Ora News: A janë zhvilluar të gjitha procedurat nga Tatim Taksat dhe institucionet e tjera.

Brahim Shima: Një nga denoncimet ishte dhe nisma nga tatimet. Besoj se është një procedurë normale. Nuk kam një të dhënë tentativë sulmi. Shpresoj të mos jetë ideja për të krijuar presion sa më të mundshëm në një kohë të shkurtër.Kontrollet janë bërë dhe më parë dhe do vazhdojnë të bëhen.

Ora News: Si e keni parë mbështetjen e gazetarëve?

Brahim Shima: Mbështetja vazhdon të jetë e madhe. Duam s’duam nuk mund të shpëtojmë nga këto zhvillime.

Besoj se brenda pak ditësh do të ketë fakte të reja të procesit gjyqësor të cilat nuk do të doja të ndalesha në këto momente por besoj që me daljen e tyre edhe reagimi i gazetarëve, politikanëve edhe analistëve do të jetë më I madh edhe brenda ditës dhe jashtë vendit. Do presim. Do të kalojnë ditët dhe gjithçka do të bëhet më transparente.

Mbështetje më të madhe e jep stafi që çdo ditë  e më shumë po rikthehen. Po rikthehen edhe ato që janë angazhuar në emisione.

 Ora News: Do të kemi të reja në sezonin e ri?

Brahim Shima: Të reja do të kemi. Do të ketë edhe shumë më shumë problematika të tjera veç zgjedhjeve. Ka nisur përgatitjet emisioni “Dy Botë”. Duhet thënë që dhe administrator është I hapur për të vijuar dhe procesin që të mos ndalet. Do të jenë emisionet prime time të orës 21:00.  

Problem mbetet financimi me reklama. Partnerët deri tani na kanë mbështetur shpresoj që të na mbështesin edhe më tej duke parë dhe të vërtetën që do të dalë.

Por mbështetja më e madhe janë gazetarët. Në një muaj kemi treguar që gazetarët janë të fortë dhe profesionistë në atë që bëjnë. Gazetaria nuk është punë është profesion. Brenda pak ditësh do të ketë zhvillime shumë të rëndësishme dhe me këto zhvillime do të zbulohet e vërteta e asaj cfarë ka ndodhur.

Besoj dhe shpresoj që nisma politike ndaj  televizioneve të ndalë këtu. Shpresoj që përplasjet e TV Ora me Ora News me pushtetin të mos ndalë këtu sepse nëse nuk do të ketë kontradikta me pushtetin do të thotë se nuk e bën detyrën e tij. Askujt që është në pushtet nuk i pëlqejnë lajmet kritike dhe në këtë raste do të ketë gjithmonë rezistencë. Prandaj uroj që kjo të mos jetë e fundit për të inkurajuar gazetarët që të jenë profesionistë në detyrën e tyre.

Gazetari i Ora News, Sebastian Zonja: Ju faleminderit!