Uashingtoni i është përgjigjur në mënyrë proporcionale sulmit terrorist ndaj bazës së vet ajrore në Irak.

Pentagoni njoftoi të enjten se lëshoi 7 predha në drejtim të disa godinave të kontrolluara nga militantë të “Kataib Hezbollahut” dhe “Kataib Said al-Shuhadas”, në lindje të Sirisë.

Grupet paramilitare të mbështetura nga Irani, 10 ditë më parë sulmuan ushtarë e civilë në një bazë amerikane, duke vrarë 2 prej tyre.

Pasoja pati edhe në Zonën e Gjelbër të Irakut, ku qëndrojnë ambasadat dhe misionet diplomatike.

“Objektivat që goditëm po përdoreshin nga të njëjtat milici shiite të cilat kryen sulmet ndaj amerikanëve,” deklaroi Loid Ostin, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së.

Ndërsa Amerika nuk konfirmoi viktima, zyra siriane për të drejtat e njeriut tha se të paktën 22 luftëtarë pro-iranianë humbën jetën nga goditjet.

Në dëmet materiale llogariten disa kamionë me municione dhe pika kufitare të ngritura prej tyre.

Zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë “Rojters” se sulmi ishte më tepër sinjal për militantët, se SHBA-ja nuk do ta përshkallëzojë konfliktin në rajon.