Koronavirusi jo vetëm që ka prishur plane në çdo fushë por edhe ka ndryshuar mënyrën se si industria e modës po i qaset publikut me krijimet e reja.

Si çdo biznes dhe markë tjetër edhe Milan Fashion Week ka formatuar veten duke hequr dorë nga sfilata që jemi mësuar të shohim zakonisht.

Java Milaneze e Modës këtë vit i është besuar stilistes së famshme kineze, Sara Wong, e cila do të mbledhë në një event virtual 8 vajza dhe gra më me influencë në glob.

8 gratë janë zgjedhur nga e gjithë bota përfshirë SHBA-në, Italinë e vende të tjera, dhe secila prej tyre ka atë që përfaqëson koleksioni SS 2021, elegancën, vendosmërinë dhe të gjitha vajzat janë uniken ë stilin e tyre.  

Në videon prezantuese të eventit do të shihni të shfaqet këngëtarja shqiptare, Arilena Ara. Mesa duket ajo është zgjedhur nga Wong dhe “Vogue Italia” për të qenë pjesë e kastit të femrave të fuqishme, që influencojnë vajzat në të gjithë botën. Në klipin e shkurtër ajo flet për atë që ka veshur, si e bën të duket dhe si ndihet me të, ndërkohë që duhet të presim për ditën e eventit për të parë intervistën dhe ndoshta performancën e plotë.

Përzgjedhja e Arilenës nga vetë VOGUExMFW është një tjetër ogur i mirë për karrierën e saj që çdo ditë dhe më shumë është duke kapur suksese.