Janë miliona fëmijë dhe nxënës Britanikë që në muajt e vështirë të pandemisë u desh të izolohen në shtëpi apo ta vijojnë mësimin nga shtëpia. Karantina ka treguar se aftësitë e tyre fizike dhe sociale kanë pësuar regres.

Mësimi nga interneti dhe izolimi i fëmijëve në shtëpi për shkak të pandemisë së koronavirusit po cënon zhvillimin e tyre psikofizik.

Një studim i organizatës “Ofsted” që monitoron sistemin arsimor në Britaninë e Madhe tregon se fëmijët Anglezë po shfaqin dobësi në aftësitë e leximit, mësimit dhe në lidhjet sociale.

Bazuar në vizitat në rreth 900 shkolla dhe institucione parashkollore të Anglisë në muajin shtator, më të vegjëlit rezultojnë grupi më i goditur nga masat anticovid.

Inspektorët vunë re se për shkak të mungesës së kujdesit nga prindërit që nuk shkëputen dot nga puna, fëmijët në kopshte kishin harruar fjalët dhe numrat, disa më të vegjël iu rikthyen pelenave, ndërsa të tjerë harruan aftësitë më të thjeshta të mbajtjes së thikës dhe pirunit.

Regres në nxënie dhe mungesë përqendrimi raportuan edhe fëmijët e shkollave fillore dhe ata me nevoja të veçanta, duke shfaqur shenja të stresit të shtuar dhe çrregullime në ushqim.

Një në tre institucione raportuan edhe shkëputjen e nxënësve nga shkollat për t’u arsimuar në shtëpi, por muajt e pandemisë u kaluan më lehtë nga fëmijët që patën mbështetjen dhe prezencën prindërore përgjatë karantinës.

Ministria Britanike e Arsimit deklaroi se rikthimi i të gjithë nxënësve dhe studentëve në shkolla dhe mbajtja e tyre hapur mbetet prioritet kombëtar.

Një ditë më parë, Britania raportoi mbi 21 mijë të prekur të rinj nga sëmundja e covidit-19, duke e çuar totalin e të infektuarve mbi 1 milion e 200 mijë që prej fillimit të vitit.

Deri tani infeksioni i koronavirusit u ka marrë jetën mbi 49 mijë Britanikëve, ndërsa qeveria shpreson që në muajin dhjetor të sigurojë dozat e para të vaksinës Gjermano-Amerikane që u zbulua të hënën se parandalon transmetimin e virusit vdekjeprurës në 90 për qind të rasteve.