Ardi Stefa, ekspert arsimi, në një intervistë për Ora News tha se duhet të hiqet dorë nga mësimi online sepse u provua se ishte një dështim.

Për Stefën, qeveria duhet të bëjë ndryshime rrënjësore sa i përket infrastrukturë mësimore.

Stefa shtoi se qeveria duhet të ndërmarrë politika të guximshme dhe duhet që të rrisë buxhetin për arsimin duke bërë edhe investime.

Stefa: Duhet hequr si opsion mësimi online për fillimin e shkollës, pasi u provua se ishte një dështim. Fillimi i vitit të ri shkollor në datën 14 shtator është veprimi i duhur. Ministria e Arsimit ka dhënë disa udhëzime, të ngjashme me ato që propozuam ne. Vendimi i ministrisë duhet të shoqërohet me masa të guximshme. Qeveria jonë nuk po mendon të bëjë ndryshime rrënjësore në raport me infrastrukturën mësime. Propozimet e tyre janë afatshkurtrat se duket sikur, por presin që të dalë vaksina. Ne jemi në pritje se çfarë do të bëjnë vendet e tjera dhe pastaj të themi që jemi të suksesshëm në sistemin arsimor.

Qeveria ka pasur mundësi qysh nga muaji maj që të përgatisnin të gjitha masat. Duhet të përgatitet një strategji për shkollat nga komiteti i ekspertëve. Të rritet numri i shkollave dhe i mësuesve, si dhe përmirësimi i sistemit elektronik. Ne kemi propozuar që të rritet numri i mësuesve që të ketë më pak nxënës në klasë. Në Itali dhe Greqi po rekrutohen mësues të rinj për të përballuar situatën. Duhet që qeveria të merrte një politikë të guximshme dhe të rishikonte edhe buxhetin e për Arsimit. Nuk kemi masa të tilla dhe investime.

Stefa tha se duhet që të rritet numri i mësuesve që japin mësim duke i rifutur në sistem.  

Stefa: Ne propozojmë që të rifuten në sistem ata mësues që kanë dalë. Po ashtu, mund të futen mësuesit që nuk janë futur në portalin mësues për Shqipërinë. Mund të merren edhe mësues nga privati të cilët mund të futen në sistem. Fare mirë mund të futen në sistemin arsimor edhe studentët e stazhit duke marrë një pagë 50-70%. Nga ana tjetër, ne nuk shikojmë që shteti të ketë marrë masa për pritjen e nxënësve.

Stefa u shfaq pesimist në lidhje me ecurinë e vitit shkollor, duke thënë se ka frikë që pas një muaji, shkollat mund t mbyllen sërish.

Stefa: Kam frikë se do të hapet shkolla në 14 shtator dhe pas nja një muaji do të mbyllet prapë. Është një frikë që e kam. Nëse duam një arsim të shekullit 21, pa nxënës që janë analfabetë funksionalë. Arsimi nuk mund të bëhet më kështu. Mbajtja e maskat duhet të jetë e detyrueshme, që të shmanget transmetimi i virusit duhet të ulet numri i nxënësve në klasë. Deri në vaksinimin nga virusi, duhet të bëhet me orar të veçantë.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti A. Kurti