Xabi Alonso gati të heqi dorë nga “aspirinat”, zëvendëson Tuhelin te Bajerni në verën 2024-ës

Xabi Alonso gati të heqi dorë nga “aspirinat”,

Ksabi Alonso mund të marrë drejtimin e Bajernit të Mynihut duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Dhe një lajm të mirë e jep për 100% të sigurt, programi spanjoll “El Chiringuito”. Trajneri spanjoll është duke bërë një punë fantastike me Bajer Leverkusenin që aktualisht renditet në vendin e parë në Bundesligë. Dhe emri i 41- vjeçarit është lakuar për të marrë drejtimin e shumë ekipeve të mëdha, falë punës së tij fantastike me “aspirinat”.

Ndër to janë edhe dy ish-klubet e tij, Liverpuli dhe Reali i Madridit, por në Spanjë e bëjnë të sigurt se ish-mesfushori e ka bërë zgjedhjen e tij dhe ai është stoli i kampionëve të Gjermanisë.

Leverkuseni ka fituar 16 nga 17 ndeshjet e tyre këtë sezon në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë 12 të fundit radhazi. Ndeshja e vetme që ata nuk arritën të fitonin ishte një barazim 2-2 në kampionat, pikërisht kundër Bajernit në shtator. Në Bundesligë ata kanë grumbulluar 31 pikë nga 11 ndeshje, dy më shumë se Bajerni i vendit të dytë. Leverkuseni ka barazuar rekordin e startit më të mirë të Bundesligës, i vendosur nga Bajerni i Pep Guardiolës në sezonin 2015-16.

Ata kanë qenë gjithashtu mbresëlënës në Ligën e Europës, duke e siguruar që tani biletën e tyre në fazën e ardhshme, pasi kanë fituar katër ndeshjet e para në grup. Dhe nëse skuadra do të arrijë të mbajë një ritëm të tillë nën drejtimin e Ksabi Alonsos, duket se askush nuk ka për ta ndalur Bajer Leverkusenin që në fund të fitojë trofeun e Bundesligës për herë të parë në historinë e tyre 119-vjeçare.

Mateus: Mund të largohet si kampion nga “aspirinat”

Ksabi Alonso ka edhe bekimin e Lotar Mateusit për të fituar titullin këtë sezon në Gjermani, përpara Bajernit. “Si klub, Leverkuseni ka gjithnjë reputacionin për të mbërritur i dyti, por tani ata kanë një shans të madh. Kjo skuadër mund të shpallet kampione. Puna e tij është e shkëlqyer në stol. Më parë, ata punonin vetëm me brezat e rinj. Tani Ksabi mendon se ai nuk ka nevojë për lojtarë të rinj, por që të fitojë titullin dhe për këtë i duhet eksperiencë”, tha legjenda e Bajernit të Mynihut dhe Gjermanisë, i cili e shikon profilin e 41-vjeçarit si të denjë për ta dërguar deri në fund skuadrën e “aspirinave”: “Ai është një lider dhe e ka treguar këtë kur ka qenë në fushë”./P. Sport

EMISIONET