Wirtz te Bayern Munich? Drejtori sportiv bavarez: Një nga më të mirët në Gjermani, por kemi shumë të tillë
Gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes mes Bayern Munich dhe Werder Bremen, drejtori sportiv i bavarezëve, Christoph Freund, ka sqaruar disa çështje kontraktuale të hapura në klubin e tij.
Freund ka konfirmuar se kontratat e Manuel Neuer dhe Alphonso Davies janë rinovuar, me kanadezin që ishte në shënjestër të Real Madridit prej muajsh. Megjithatë, disa lojtarë kyç të skuadrës, si Joshua Kimmich, Leroy Sané, Thomas Müller dhe Eric Dier, janë ende në një situatë të paqartë për të ardhmen.
"Parimisht, nuk flasim për detajet e kontratave. Ka disa konfigurime të ndryshme dhe po i strukturojmë në mënyrë që të jenë të favorshme për Bayernin në planin afatgjatë, – tha drejtori sportiv. – Dëshirojmë të maksimizojmë suksesin tonë dhe të ndërtojmë skuadrën më të mirë të mundshme. Ndonjëherë duhet të bëjmë kompromise, por synimi ynë është gjithmonë të arrijmë marrëveshjen më të mirë për Bayernin".
Në fund të konferencës, Freund nuk mundi ta shmangte një koment mbi Florian Wirtz, talentin e Bayer Leverkusen, prej kohësh në radarët e Bayernit. "Jemi shumë të kënaqur me ekipin tonë aktual.
Florian Wirtz është një lojtar i jashtëzakonshëm, një nga më të mirët në Gjermani, por edhe ne kemi shumë të tillë", – tha ai, duke lënë të kuptohet se, për momentin, nuk ka një lëvizje konkrete për mesfushorin ofensiv.
Bayerni, ndërkohë, është përqendruar te sfidat e ardhshme dhe menaxhimi i skuadrës për të ruajtur konkurrencën në nivelet më të larta.