VIDEO/ Partizani denoncon: U dhunuam në Laç, u goditën zyrtarët dhe futbollistët e klubit

VIDEO/ Partizani denoncon: U dhunuam në Laç, u goditën

Ndeshja mes Laçit dhe Partizanit u ndërpre në pjesën e dytë të saj kur nga tribuna u godit me sende të forta në kokë zyrtari i klubit të kuq, Ildi Dajlani.

Sfida u ndërpre për disa minuta dhe u rifillua më tej normalisht nga gjyqtari Juxhn Xhaja.

Por klubi Partizani, nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë një reagim ku kërkon që të merren masa pasi ka pamje filmike që tregojnë momentin e dhunës ndaj zyrtarit të saj, teksa i kanë bërë thirrje FSHF-së dhe Policisë së Shtetit që të ndërhyjë për këto ngjarje që kanë lindur nga persona të pranishëm në tribunën VIP.

POSTIMI I PARTIZANIT

Klubi Futbollit Partizani dënon ashpër dhunën e ushtruar sot në stadiumin e Laçit gjatë takimit Laçi – Partizani i vlefshëm për javën e 5-të të Kategorisë Superiore!

Ndonëse Partizani kishte udhëtuar sot për në Laç, për të luajtur vetëm një ndeshje futbolli është gjendur në mes të një situate aspak normale, që nuk ka lidhje fare me futbollin apo më keq akoma me rregullat “Fair Play”.

Dhuna verbale u shoqëruar me një dhunë fizike duke u goditur jo vetëm zyrtarët e Klubit tonë, por edhe futbollistët që kishin zbritur në fushë të ushtronin profesionin e vet.

Kërkojmë me forcë, reagimin dhe veprimin sipas rregullave nga FSHF, duke qenë se pamjet janë të qarta dhe dhuna ka vazhduar edhe ndaj zyrtarëve të ndeshjes përveç atyre të klubit tonë.

Klubi i Futbollit Partizani kërkon edhe nga organet e Policisë së Shtetit të evidentojë dhunuesit që këtë radhë vijnë nga tribuna e “ashtuquajtur” VIP dhe të dërgohen para drejtësisë.

Respektin që i presim dhe i përcjellim kundërshtarët në stadiumin “Arena e Demave”, pretendojmë ta gjejmë në çdo stadium apo fushë rivalësh. Dhuna nuk ka vend në sport!!!

EMISIONET