VIDEO/ Liverpool nuk di të fitojë, Nunez “tradhton” skuadrën, vetëm barazim ndaj Palace

VIDEO/ Liverpool nuk di të fitojë, Nunez “tradhton”

Një tjetër barazim zhgënjyes për Liverpool, sot me vetëm dy pikë në Premier League dhe plot 4 diferenca larg nga kryesuesit e Manchester City.

Nuk mund të kishte imagjinuar start më të keq të sezonit Jurgen Klopp që ngec sërish, këtë herë në shtëpi kundër Crystal Palace. Nuk shkoi më shumë se 1-1 ndeshja në “Anfield Road” ku ishte Zaha që komplikoi punën për të besuarit e trajnerit gjerman që morën shuplakën e papritur duke humbur shumë kohë për t’u riorganizuar.

Në momentin më të mirë të ndeshjes, Darwin Nunez e la skuadrën me 10 lojtarë pasi goditi me kokë një kundërshtar duke u ndëshkuar me karton të kuq që në fund të mbrëmjes i kushtoi shumë Liverpool-it edhe pse Luis Diaz i kurseu turpin e humbjes skuadrës nënkampione të Europës.

Rezultat që reflekton momentin “jo” të “The Reds” në startin e këtij sezoni në Premier League. Për herë të parë në 10 vitet e fundit, Liverpool dështon në të dyja ndeshjet e para të sezonit ndërsa javën tjetër si për ironi do të luajë derbin e Anglisë kundër Manchester United në betejën për t’iu larguar fundit.

EMISIONET