Vajzat kampione që kanë zgjedhur peshëngritjen

Në emisionin “Jeto me Orën” ishin të ftuara katër vajza të cilat kanë fituar titullin kampione në kategorinë e moshës 23 vjeç.

Ato folën për çelësin e suksesit në sportin që ushtrojnë, së bashku me trajnerin e tyre Ervis Tabaku.

Peshëngritëset Maida Lozi, Desjana Koni, Jonida Lika dhe Elona Almuça treguan se rezultatet e arritura vijnë si rezultat i disiplinës që zbatojnë në sport, stërvitjes konstante dhe regjimit ushqimor.

Trajneri i kombëtares së peshëngritjes për vajza, Ervis Tabaku pohoi se vajzat u përgatitën gjatë gjithë verës për të fituar titullin kampion, ndërkohë që na informoi se në datat 15 deri më 25 tetor do të zhvillohet Kampionati Europian për moshat 23 vjeç.

“Ky kampionat do zhvillohet në Durrës dhe ne do të përfaqësohemi me Desjana Konin dhe Elona Almuçën”-tha trajneri.

Sipas Tabakut, mosha më e mirë për të nisur peshëngritjen është mbi 10 vjeç, ndërkohë që hodhi poshtë mitin që ky sport nuk të lejon të zgjatesh.

“Me parë e nisnin peshëngritjen në mosha që kishin përfunduar procesin e zgjatjes dhe mendonin se nuk u zgjatën më për shkak këtij sporti”-shpjegoi ai.

EMISIONET