Uvil Zajmi komenton play-offin: Tomorit iu anulua goli kundër Korabit, e kishte kaluar vijën! Flamurtari e kaloi Apoloninë si në Serie B të Italisë

Në ditën e djeshme u mësuan verdiktet e gjysmëfinaleve të Play Off në Kategorinë e Parë. Korabi fitoi kundër Tomorit me shifrat 0-1 dhe kaloi në fazën finale. Nga krahu tjetër Flamurtari barazoi 1-1 me Apoloninë, por kaloi më tej dhe do të ndeshet me Korabin.

Arsyeja është se në rastet kur kemi barazime në këtë fazë, ashtu si edhe në Serinë B në Itali, favorizohet ekipi që është renditur me mirë në renditje gjatë kampionatit.

Për të diskutuar këto takime, i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës” që moderohet nga Drilon Xhepollari ishte Uvil Zajmi. Ky i fundit ka komentuar edhe rastin e dyshimtë të Tomorit kundër Korabit.

“Unë mendoj se kjo formulë me fazën e Play Off dhe të Play Out i shërben futbollit në përgjithësi. Kur mbaron kampionati, nuk mbyllet ëndrra për ekipet. Ato kanë edhe një mundësi të fundit që shpalosin potencialit e tyre për të arritur atje ku duhet. Sa i përket formulës sesi kaloi Flamurtari me atë barazim, nuk ka asgjë për t’u çuditur. FSHF e ka vendosur që në fillim të kampionatit, por nuk ka pasur shumë informacion dhe prandaj njerëzit mund të jenë habitur pak. Nuk është shpikje e jona, e kanë shumë kampionate në Europë, më e afërta është ajo e Serisë B. Pra ka vetëm një ndeshje në Play Off dhe nëse aty ka barazim, atëherë kalon ekipi që është renditur më lart në renditje gjatë kampionatit, kjo ndodh edhe në Serinë B në Itali.

Goli i Tomorit? Ka pasur shumë polemika dhe diskutime, gjëra normale që në futboll. Nuk mund ta përcaktoj dot atë rast saktësisht, por në rast kur është e dyshimtë, gjykoj që mos marrja e vendimit kur ka pasiguri është mëse normale. Për mua topi mund ta ketë kalur vijën e portës, megjithëse në kushte loje është shumë e vështirë për ta marrë atë vendim.

Superiorja? Për mua derbi ishte deciziv. Tirana ka dy ndeshje të mbetura që duhet t’i fitojë, kështu edhe Partizani. Kastrioti nuk duhet nënvlerësuar nga Partizani, është kundërshtar i rrezikshëm. Tirana është pak më e favorizuar nisur edhe nga ai barazim në derbi. Teuta është e favorizuar për Europën, do të luajë me Egnatian që e ka mbyllur kampionatin e saj, është në Europë dhe në finalen e Kupës”, tha Zajmi. 

EMISIONET