Sulmuesi i Brentford vendoste baste për veten dhe skuadrën e tij, pezullohet 8 muaj
Ivan Toney u dënua me vetëm 8 muaj pezullim nga Shoqata e Futbollit Anglez pasi e pranoi varësinë e tij ndaj kumarit. Sipas detajeve që zbulohen gjatë orëve të fundit nga mediat britanike, lojtari i Kombëtares së Anglisë ka vendosur baste madje edhe kundër skuadrës së tij, Brentford, ndërsa është pezulluar për plot 232 shkelje të normave që lidhen me bastet.
Kërkesa fillestare e federatës ishte për 15 muaj pezullim edhe pse Toney me 20 gola sezonalë, kishte arritur madje të thirrej edhe nga Kombëtarja e Anglisë. Ai u konsultua edhe me një psikiatre që konfirmoi varësinë ndaj kumarit ndërsa Toney mund të rikthehet në fushë në 24 janar të vitit të ardhshëm.
Deri në mesin e muajit shtator nuk mund të stërvitet me skuadrën e Brentford. Në 126 raste ai ka vendosur baste në kompeticionet ku merrnin pjesë skuadrat e tij dhe në 29 raste kishte vendosur baste për skuadrën me të cilën luante.
Në 16 raste ai kishte vendosur baste për fitoren e të tijve dhe dhe në 13 të tjera për humbjen. Në plot 15 raste ai ka vënë bast edhe që do të shënonte vetë por nuk ka asnjë provë që ai ka ndikuar me qëllim në rezultatin e ndeshjeve.