Sulmuesi i Barcelonës ‘refuzon’ Milanin: E ardhmja ime është këtu
Emri i Ferran Torres (24 vjeç) është lidhur këto ditë me Milanin si një mundësi përforcimi për krahët e sulmit të kuqezinjve, por spanjolli nuk duket se është dakord për ta lënë kryeqendrën e Katalunjës këtë dimër.
Në një konferencë shtypi para ndeshjes së Ligës së Kampionëve në fushën e Benfica-s, vetë Ferran Torres është përgjigjur kështu për zërat mbi transferimin e tij në Serinë A:
"Milani? E ardhmja ime është këtu, në Barcelonë. Shpresoj të luaj shumë ndeshje dhe të fitoj shumë trofe të tjerë me fanellën blaugrana", tha Torres.
Ndërkohë, në Barcelonë janë shtuar polemikat. Presidenti Joan Laporta nuk ka folur për procesin ligjor, por ka dashur të rikujtojë ngjarjet e barazimit kundër Getafes, sidomos gjykimin: "Ajo që ndodhi me gjykimin në Getafe është një turp.
Fakti që nuk u dha penallti për Koundé është një skandal.
Mendoj se duhet ta përsëritni disa herë, sepse është një skandal ajo që ndodhi me penalltinë për Koundé," ka deklaruar numri një i klubit katalanas pas daljes nga gjykata.