U përjashtua dy vite për doping, CAS zbut dënimin për mesfushorin e kombëtares boliviane
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i uli nga dy vjet në 15 muaj pezullimin për mesfushorin bolivian Boris Cespedes, i dënuar për shkelje të rregullave antidoping. CAS vlerësoi se substanca e ndaluar kishte gjasa të ishte marrë përmes një medikamenti të përshkruar nga stafi mjekësor i kombëtares.

Mesfushori bolivian Boris Cespedes do të qëndrojë jashtë futbollit për 15 muaj, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi t’i reduktojë pezullimin fillestar prej dy vitesh të dhënë nga FIFA për shkelje të rregullave antidoping
Cespedes, i cili ka luajtur për klubin zviceran Yverdon-Sport dhe për kombëtaren boliviane, rezultoi pozitiv për dy substana të ndaluara pas një kontrolli antidoping të kryer pas ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës mes Bolivisë dhe Uruguait më 25 mars 2025
Komisioni Disiplinor i FIFA-s i vendosi lojtarit një pezullim dyvjeçar në gusht 2025, duke llogaritur edhe periudhën e pezullimit të përkohshëm që kishte nisur më 14 maj 2025.
Futbollisti apeloi në CAS, duke argumentuar se substanca kishte hyrë në organizmin e tij përmes një medikamenti të përshkruar nga stafi mjekësor i kombëtares për një trajtim, në një kohë kur ai ishte rëndë i sëmurë dhe i paaftë për të verifikuar çfarë po i jepej.
Pas një seance dëgjimore në janar, arbitri i vetëm i CAS konstatoi se, megjithëse Cespedes kishte kryer një shkelje të rregullave antidoping, ai kishte provuar me gjasa të mjaftueshme se substanca kishte ardhur nga ilaçi i përshkruar nga mjekët.
“Për rrjedhojë, arbitri i vetëm vendosi se një periudhë pezullimi prej 15 muajsh është proporcionale dhe e përshtatshme me rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e CAS.
Apelimi u pranua pjesërisht dhe sanksioni ndaj Boris Cespedes u ndryshua duke I zbritur periudhën e pezullimit.


