Teuta për turp, humbet në “Niko Dovana” me modestët nga Andorra

Teuta për turp, humbet në “Niko Dovana” me modestët

Një paraqitje katastrofike, për të mos thënë e turpshme ajo e Teutës në raundin e dytë të Conference League në “Niko Dovana” ndaj Inter d’Escaldes. Këta të fundit që u mundën në raundin paraeliminator nga Prishtina, vinin pa pretendime në Durrës por u larguan me një fitore 2-0 që pothuajse i çon në raundin tjetër.

Në pjesën e parë Teuta zhgënjeu në të gjitha drejtimet teksa nuk arrinte të dilte përpara dhe kishte shumë pak ide për të krijuar raste. Ekipi nga Andorra dha disa here sinjale me raste të rrezikshme ndërsa durrsakët humbasin raste dhe u mungon goditja finale.

Blerim Krasniqi, Kallaku dhe Emiliano Vila janë më të rrezikshmit por golin e gjen ekipi kundërshtar në 37’ kur De Vila me një gjuajtje konkretizon një kundërsulm të shpejtë.

Pjesa e dytë duhej të ishte ndryshe dhe Teuta provon të shënojë por pëson të dytin pas një tjetër gafe në mbrojtje me De Vilan që ndëshkon sërish ekipin e Martinit.

Goli i dytë është shokues për Teutën që nuk reagon dot dhe nuk arrin të krijojë asgjë siç duhet edhe pse Martini bën disa zëvendësime.

Përfundon 2-0 sfida me një humbje të pafalshme për Teutën që detyrimisht duhet të shkojë dhe të fitojë të paktën me 2 gola në Andorra që të shpresojë për të ecur më tej.

 

EMISIONET