Skandali përfshin presidentin e UEFA-s, Ceferin ra dakord që të paguante rrogën e Messit te Barcelona

Skandali përfshin presidentin e UEFA-s, Ceferin ra dakord që të

Futbolli spanjoll po prodhon skandal pas skandali si pasojë e drejtimit të Luis Rubiales në vitet e fundit dhe tashmë kanë dalë në skenë disa përgjime që përfshijnë edhe presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin, si dhe ish-futbollistët e Barcelonës, Zherard Pike dhe Lionel Mesi.

Sipas këtyre përgjimeve, presidenti i UEFA-s ishte dakord që me fondet për futbollin spanjoll, të paguhej rroga e Lionel Mesit meqë Barcelona kishte vështirësi ekonomike.

Gjithçka ka lidhje me vitin 2020, kur klubet e futbollit pësuan një goditje të rëndë për shkak të situatës së COVID.

Barcelona u kërkoi lojtarëve që të reduktonin rrogat me 70% pasi ishin në prag të kolapsit financiar dhe kjo situatë në veçanti ka shqetësuar Lionel Mesin.

Ky i fundit nuk dëshironte të ulte rrogën dhe me Zherard Pike si ndërmjetës, i kërkoi Federatës të gjente një zgjidhje.

Portalet spanjolle kanë publikuar informacione të telefonatave mes Pike dhe Rubiales e më pas të këtij të fundit me Çeferin.

Presidentit të UEFA-s i kërkohej që të pranonte devijimin e fondeve që shkonin në Federatës Spanjolle, për të paguar rrogën e Mesit.

Rubiales i shpjegonte Çeferin se Mesi ishte shumë i rëndësishëm për ekonominë e sistemit futbollistik në Spanjë ndaj çdo pakënaqësi e tij duhej shmangur me çdo kusht.

Njëkohësisht, ai i kërkonte Çeferin që gjithçka të mbetej e fshehtë në mënyrë që të mos lindnin polemika.

Presidenti i UEFA-s kishte garantuar që “as qeni i tij nuk do të ishte në dijeni” dhe pastaj Rubiales kishte biseduar personalisht me Mesin dhe Pikenë për t’i qetësuar se po gjendej një zgjidhje.

Më pas Çeferin i ishte dërguar një plan konkret për të integruar pagat më 6 prill të vitit 2020, me fondet për të drejtat TV që vinin nga UEFA, që do të përdoreshin për të paguar dy futbollistët e Barcelonës.

Nuk dihet nëse më pas kjo skemë abuzimi në të cilën të gjithë palët ishin dakord, u bë efektive apo jo.

Por tregon edhe një herë se me sa lehtësi drejtuesit më të lartë të futbollit ndryshonin sipas dëshirave të tyre apo të lojtarëve të caktuar, destinacionin e fondeve që në teori duhej të ndihmojë futbollin në të gjithë vendin.

EMISIONET