“Është një trajner me emër dhe me trofe“, Daiu tregon pasardhësin e Maganit te Egnatia: Presidenti e ka menduar mirë

Përparim Daiu ka marrë përkohësisht drejtimin e Egnatias pas largimit të Maganit.

Drejtori sportiv i skuadrës nga Rrogozhina ka folur në një lidhje direkte me emisionin “Ora Sport“ në “RTV Ora“, ku flet edhe për emrin e ri që do të vijë në krye të pankinës. Daiu zbulon se trajneri i ri vjen nga Kosova. Ramadani do të marrë drejtimin e Egnatias dhe ky vendim është menduar mirë nga presidenca e klubit. Më tej Daiu thekson se rezultatet do të jenë barometri që do të masë punën e trajnerit të ri.

“Ngjarjet e fundit që u krijuan me largimin e trajnerit, drejtuesit ishin të limituar në kohë dhe zgjedhjet momentale ishin brenda përbrenda familjes. Unë kisha licencën B dhe ishte një zgjedhje emergjente. Drejtimi i ekipit të jep atë satisfaksionit, për ne fusha është gjithçka. Kishim mungesa kryesore. Mungesa kyçe në portë, Pedro golashënuesi më i mirë i Egnatias dhe për një ekip si ne nuk është pak të ketë këto mungesa. Shtuar këtu gabimi i portierit si në rastin e parë që nuk ishte shumë i dukshëm, edhe në rastin e dytë i dha krahë Tiranës.

Ramadani trajner i Egnatias? Vendimi është i presidentit. Sot u komunikua se trajner nesër do të emërohet Ramadani. Një trajner që ka emër në Kosovë, një trajner që ka fituar trofe. Por ndonjëherë emri nuk është gjithçka. Drejtuesit kanë pasur kontakte, kanë marrë informacione. Shpresojmë që kjo zgjedhje të përkojë në mentalitet me Egnatian. Padiskutim që do ndërhyet në merkato. Reparte të veçanta e kanë imediate ndërhyrjen, siç është mbrojta dhe sulmi. Kampionati është i gjatë nga dëmtimet, kartonat, dhe stoli duhet të jetë i madh.

Padiskutim që në Shqipëri ka trajnerë mjaft të mirë dhe me vlera. Por presidenti është menduar mirë për zgjedhjen. Nuk jam kundër trajnerëve të huaj, por ata të huaj që vijnë në Shqipëri duhet të vijnë me risi. Çdo ndryshim që bëhet, bëhet për mirë. Për trajnerin që do vijë shpresojmë që do të ketë rezultate. Ai është barometri. Kampionati nuk është ai i fazës së parë, pasi ai sa vjen e vështirësohet. Ekipet konsolidohen”, ka thënë Përparim Daiu.

EMISIONET