RIZGJIMI I ITALISË/ Spalletti duartroket ekipin: Tonali ishte brilant. Deschamps: U fikëm pas 20 minutave!
Të fitosh ndaj Francës, në “Parkun e Princave”, për më tepër një fitore me përmbysje, nuk është një gjë që ndodh shpesh, për këtë është i qartë edhe Luciano Spalletti i cili duartrokiti ekipin e tij për paraqitjen e dhuruar kundër “gjelave” të Deschamps:
“Djemtë zhvilluan ndeshjen që duhet të bënin, të gjithë u treguan shumë të zotë. Sigurisht, ka gjithnjë vend për të bërë më mirë. E rëndësishme ishte të qëndronim në fushë si një skuadër. Në futboll, të gjithë e dinë se mjafton një gabim dhe gjithçka kthehet në një çmenduri, por të gjithë reaguan shpejtë. Evropiani tashmë i përket të kaluarës, por ndjesia është se tani mund të ndërtojmë diçka të bukur”, u shpreh Spalletti duke bërë në fund edhe një koment për Tonalin: “Zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer. Kemi ri gjetur një lojtar shumë të fortë”, theksoi Spalletti.
Humbja ndaj Italisë, për më tepër në këtë formë, shton edhe më shumë kritikat ndaj Deschamps, por trajneri i Francës sheh përpara: “Jam mësuar me kritikat edhe pse kam fituar më shumë se sa kam humbur. Ishte një ndeshje në shtëpi, por ne e dinim se gjendja e ekipit nuk ishte optimale, kemi edhe shumë të rinj në skuadër. Italia në nivel fizik ishte më lart, më vjen keq vetëm se pas 20 minutash drita u fik”, u shpreh Deschamps pas ndeshjes.