Rekordi i Juventusit apo titulli në derbi për Interin? Zgjedhja e Materazzi: Do të mbetej në histori
Titulli i 20-të i Interit, pa kthesa të bujshme, është vetëm çështje kohe. Kjo është arsyeja pse prej javësh tifozët zikaltër pyesin se kur do të arrijë siguria matematikore, duke qenë se ndër mundësitë është edhe fitimi i trengjyrëshit pikërisht në derbin ndaj Milanit.
Jo vetëm kaq, Interi mund të mposhtë edhe rekordin e pikëve të një kampionati, të vendosur nga rivali tjetër historik, Juventusi, me Antonio Conten në stol. Po çfarë do të preferonin tifozët zikaltër mes thyerjes së rekordit bardhezi dhe fitimit të titullit në derbi? Përgjigjen e jep Marco Materazzi, ish-mbrojtësi i Interit, i intervistuar nga "Sport Mediaset":
"Rekordi i pikëve nuk më intereson, unë preferoj të fitoj titullin në derbi. Rekordet janë bërë për t’u thyer, por fitimi i një titulli në derbi do të mbetej në histori". Në udhëtimin triumfues të Interit këtë sezon mbetet një njollë, pikërisht eliminimi i parakohshëm nga Liga e Kampionëve ndaj Atletico Madridit:
“Ishte një zhgënjim, por duhet parë finalja e humbur vitin e kaluar, e cila na dha bindjen se jemi të fortë. Fatkeqësisht kësaj radhe u përballëm me kundërshtarin më të parehatshëm, një ekip teknik që lufton për cdo top dhe nuk dorëzohet kurrë.
Ne dështuam nga penalltitë, ato janë gjithmonë edhe fat. Përmes tyre kam fituar një Botëror dhe një "play-off" me Perugia-n në Serie B. Nga ky këndvështrim kam qenë me fat, por, e përsëris, është si llotari dhe çdo gjë mund të ndodhë gjithmonë”.