Reja dhe Hysaj njohin vetëm një rezultat në Izrael…fitoren (VIDEO)


Reja dhe Hysaj njohin vetëm një rezultat në Izrael…fitoren

Trajneri Edoardo Reja është i qartë në atë që kërkon nga skuadra e tij në ndeshjen e parafundit në grupin B2 të Ligës së Kombeve. Në konferencën e shtypit nga Tel Avivi, ai kërkoi që skuadra në fushë të zbresë e uritur dhe me dëshirë

"Unë e njoh forcën e Izraelit që nga ndeshja e parë dhe është një skuadër me cilësi. Kushdo që do të zbresë në fushë do të japë maksimumin sepse Izraeli është një transfertë e vështirë.

Ata do të luftojnë për fitore ashtu si do të luftojmë edhe ne. Duhet të shikojmë kush do të jetë më i zoti në fushën e lojës, kush do të ketë mentalitetin e duhur dhe dëshirën për të fituar këtë ndeshje. Mungesat nuk kanë rëndësi pasi edhe kundërshtarët kanë mungesa si ne. Uroj të fitojmë.

E dimë shumë mirë që kjo është një finale për ne. Vetëm një fitore na jep shpresë për vendin e parë në grup. E dimë që ndeshjet vendosen edhe nga episodet dhe ne do të përpiqemi që këtë herë të jenë në anën tonë.

Do të luajmë me presion shumë të madh por duhet të bëjmë një ndeshje fantastike. Izraeli luan me ritëm shumë të lartë por ne do të kërkojmë të imponojmë lojën tonë dhe për këtë kemi punuar gjatë gjithë javës në stërvitje. Jam i bindur se do të bëjmë ndeshje të shkëlqyer.

Rëndësi në të tilla ndeshje ka shpirti me të cilin zbret në fushën e lojës, gjëndja fizike dhe ajo mendore. E njohim dhe e kujtojmë mirë Solomon që mungon te Izraeli, por ata përpara kanë shumë alternativa cilësore. Përtej atyre që mungojnë ata kanë cilësi të mira në përbërje, ashtu siҫ kemi edhe ne.

Edhe herë të tjera kur kemi pasur mungesa të rëndësishme kemi bërë paraqitje shumë të mira. Nuk ka shumë vend për të bërë diskutime. Duhet të zbresim në fushën e lojës dhe të luajmë ashtu sic duhet. Me përqendrim maksimal, me bindje maksimale, të na respektojmë për atë që jemi dhe të tregojmë personalitet. Nëse vendosim në fushë këto karakteristika, që kur i kemi treguar, kemi marrë dhe rezultate të rëndësishme. Nesër pres këtë nga skuadra ime.

Ne e dimë shumë mirë sesi luajnë, e dimë gjithashtu shumë mirë sesi do të përballemi me ta. Nga ana teorike e kemi përgatitur në mënyrën tonë, por ju e dini mirë se duhet parë se ҫ’farë ndodh në fushën e lojës. Gjatë ndeshjes mund edhe të ndryshosh diҫka nëse gjërat nuk shkojnë mirë.

Varet gjithҫka nga rezultati dhe ajo që ndodh në fushën e lojës. Vlen shumë edhe leximi që i bëjnë ndeshjes lojtarët, sepse lojtarët kur zbresin në fushën e lojës duhet të kuptojnë ku është rreziku dhe aty duhet të tregojnë kujdes, sidomos në fillim të ndeshjes. E rëndësishme është të mos shkosh në disavantazh. Në fillim të ndeshjes duhet të jemi shumë të kujdeshëm, duke bërë lëvizjet e duhura dhe nëse krijohet mundësia e duhur në rinisje duhet të shfrytëzojmë mundësitë.

Ndeshje të tjera kemi krijuar disa raste të mira në pjesën sulmuese por nuk i kemi finalizuar siҫ duhet. Këtë herë duhet të jemi shumë të saktë dhe konkret. Kjo është ndeshja decisive dhe duhet të bëjmë sa më pak gabime të jetë e mundur, si në aspektin mbrojtës ashtu edhe në atë sulmues. Kështu e kemi përgatitur, e dinë lojtarët e dinë ne. Unë jam i sigurtë që të gjithë do të japin 100% nesër”.

Ndërkohë Elseid Hysaj theksoi:

"E dimë që është një ndeshje shumë e rëndësishme por kemi ardhur të vetëdijshëm që na duhen pikët për të realizuar objektivin tonë. Nuk ka rëndësi skema, të gjithë jemi aq profesionistë sa të përshtatemi me atë rol që do të na kërkojë trajneri.

Presion nuk ka vetëm Izraeli por edhe ne. Ne do të shfrytëzojmë mundësitë që do të na krijohen ndërsa fusha do të tregojë kush është më i miri. Duhet ta kuptojmë që është një ndeshje e rëndësishme dhe të gjithë çunat e dinë. Duhet të kalojmë nga kjo ndeshje për të shkuar te tjetra dhe për të menduar kualifikimin në grup.

Duhet të jemi 100% të përqëndruar në grup dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen e radhës. Siç kemi bërë gjithmonë, kemi bërë edhe mirë në ndeshje të rëndësishme pavarësisht dëmtimeve, pasi kemi pasur dëmtime të mëdha, por besoj se të gjithë që kanë ardhur në këtë grumbullim do të japë maksimumin e tij".

 

 

 

EMISIONET