Raundi i parë eliminator i Championsit, Teuta e Shkëndija mësojnë rivalët

Raundi i parë eliminator i Championsit, Teuta e Shkëndija

Është hedhur në Nyon të Zvicrës shorti për raundin e parë eliminator të Champions League. Në fazën ku klubet shqiptare mund të bëjnë një hap para në Europë, Teuta, Shkëndija e Tetovës dhe Prishtina kanë mësuar rivalët e ardhshëm.

Kampionët e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija ishte e para që u shortua dhe përballë do të ketë kampionët e Slovenisë, NS Mura, një short jo dhe aq i mirë por për një ekip të konsoliduar si kuqezinjtë nga Tetova nuk është provë e pakalueshme.

Ndërkohë edhe Teuta mund të konsiderojë shortin pozitiv pasi ka shmangur ekipe të forta si Ludogorets apo Kairat Almaty dhe ka “peshkuar” kampionët moldav të Sheriff Tiraspol. Një rival i kalueshëm po të mendosh që edhe sezonin e kaluar me Martinin në stol, ekipi durrsak bëri mirë në Europë.

Handikapi i vetëm nëse do ta quajmë për të dyja ekipet shqiptare, Teutën dhe Shkëndijën është fakti që do të luajnë ndeshjet e para në shtëpi, në Durrës e në Tetovë dhe ato të kthimit në transfertë ndaj dhe rezultati i ndeshjeve të para do të jetë shumë i rëndësishëm.

Për Prishtinën shorti nuk ishte aspak i mirë. Kampionët e Kosovës që fillimisht duhet të fitojnë raundin paraeliminator, pra 2 ndeshje e më pas të shkojnë në fazën e parë, do të luajnë me kampionët e Hungarisë, Ferencvarosin. Ekip shumë i njohur nga të gjithë shqiptarët pasi është ekipi ku po shkëlqen Myrto Uzuni, sulmuesi kuqezi dhe që po realizon një “mal” me gola.

Ndeshjet e raundit të parë eliminator të Champions League do të nisin më 6-7 Korrik dhe takimet e kthimit, një javë më pas më 13-14 Korrik. UEFA ka sqaruar se ndeshjet do të luhen normalisht me nga 90 minuta dhe në rast barazimi do të ketë shtesë 30 minuta e nëse nevojitet në fund edhe 11-metërsha. Skuadrat që avancojnë do të luajnë më pas në raundin e dytë eliminator të Champions League.

 

EMISIONET