Raphinha: Pa Xavin nuk do të isha te Barcelona, ja kë zgjedh mes Champions-it dhe 'Topit të Artë'
Raphinha është një nga lojtarët më në formë të momentit dhe po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me Barcelonën. Braziliani u shfaq sot në kopertinën e “France Football”, revistë së cilës i dha një intervistë, ku foli për trajnerin e tij, Hans-Dieter Flick:
"Kur u zyrtarizua ardhja e tij, më telefonoi dhe më tha se isha një nga lojtarët tek të cilët mbështetej, pa më njohur apo pa më parë asnjëherë në stërvitje. Kjo ishte shumë e rëndësishme për vendimin tim për të qëndruar dhe më lejoi të punoja me qetësi të plotë për të arritur nivelin maksimal. E dija që do të ishte i rëndësishëm për ekipin".
Anësori blaugrana ka falënderuar edhe Xavi Hernandez: "Edhe pse sezonin e kaluar kishte shumë zëra për largimin tim, ai vazhdonte të më thoshte se bazohej tek unë. Po të mos ishte ai trajner i Barcelonës, nuk do ta vishja këtë fanellë, të cilën gjithmonë e kam ëndërruar.
Xavi ishte i bindur se me punë të palodhur do të bëhesha një lojtar i rëndësishëm. Punoj shumë në aspektin mendor për të ruajtur qetësinë dhe vetëbesimin e nevojshëm, sepse vetëm kështu mund t’i bëj gjërat mirë".
Raphinha është bërë gjithashtu një nga kapitenët e skuadrës katalanase: "Kushdo që mban shiritin duhet të luftojë në kuptimin më të mirë të fjalës: për klubin, për fanellën që mban veshur, për bashkëlojtarët.
Kapiteni duhet të synojë përsosmërinë, të ndihmojë të rinjtë dhe lojtarët me përvojë, si dhe të mësojë prej tyre. Kudo ku kam shkuar, kam bërë çmos që të gjithë të ndihen mirë brenda grupit".
Disa fjalë edhe për “Topin e Artë”: "Është bukur të kesh vëmendje, por tatuazhin tim të ardhshëm dua ta bëj për Champions League…"