Presidenti i Tiranës bën padi në gjykatë për përmbaruesin, ja çfarë kërkon Refik Halili
Halili “shpk”, pronari i 66% të aksioneve të KF Tiranës me president Refik Halilin, i është drejtuar gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Shkallës së Parë, Tiranë me një kërkesë padi objekti i të cilës është pezullimi i ekzekutimit të vendimit që ka fituar familja “Preza”.
Në kërkesë-padinë, paditësi pretendon për rivlerësim të paktën të aksioneve që përmbaruesi i ka nxjerrë në shitje 1.6 milionë euro.
Po kështu, Halili “shpk”, kundërshton veprimet e përmbaruesit gjyqësor, i cili ka nisur shitjet e aksioneve të KF Tiranës në ankand. Gjyqtarja e çështjes është Alma Hicka, ndërkohë që dje u vendos që gjyqi të shtyhej për sot.
Sipas ligjit, kundërshtimi në gjykatë i veprimeve përmbarimore nuk e ndalon ankandin vetëm nëse gjykata shprehet që ta ndalojë çdo procedurë, pasi kërkuar ka paraqitur padi me masë sigurimi.
HISTORIA – Të hënën dështoi shitja e aksioneve të klubit Tirana nga një kompani përmbarimi, e cila ka bllokuar kuotat në pronësi të Halili “shpk”.
Ashtu siç ishte lajmëruar nga kompania përmbarimore, ankandi është mbyllur dje pasdite.
“Panorama Sport” mësoi se ankandi i djeshëm është mbyllur pa oferta zyrtare për blerjen e këtyre aksioneve për rreth 1.6 milionë euro.
Ka qenë vetë përmbaruesi Baftjar Nela që ka konfirmuar mbylljen pa sukses të ankandit.
Gazeta ka mësuar se që nga dita e nesërme e ankandit të parë do të nisin proceduarat për një tjetër ankand për shitjen e këtyre aksioneve të klubit bardheblu. Këtë herë, vlera e hapjes së ankandit parashikohet të jetë 30% më e ulët se ajo fillestare që ishte vendosur në ankandin e parë.
Në këtë mënyrë, pritet që të shihet nëse do të ketë interesim më të madh dhe oferta konkrete për shitjen e kuotës së 66% të aksioneve të klubit bardheblu.
ÇËSHTJA – Borxhi që do të përmbarohet dhe që ka sjellë shitjen e mundshme të aksioneve është një detyrim që ka kompania Halili “Sh.p.k” (kompania “alfa”), në pronësi të Refik Halilit ndaj një personi, shtetasit Abedin Treza(Preza).
Siç njofton Qendra Kombëtare e Biznesit, në datën 13 shtator 2019, shtetasi Abedin Treza (Preza) ka bllokuar 66 për qind të aksioneve në zotërim të Refik Halilit në KF Tirana. Sipas urdhrit të sekuestros, debitori i detyrohet kreditorit 1.5 milionë euro dhe 25 milionë lekë (të rinj), si dhe interesat për çdo ditë vonesë./PANORAMA SPORT