Përgatitjet për Andorrën nisin në Londër, Kombëtarja zhvillon stërvitjen e radhës...
Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në stadiumin “The Hive” të Londrës, që ka zgjatur pak më shumë se 60 minuta.
Lojtarët, të cilët nuk u aktivizuan dhe ata që luajtën si zëvendësues kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa titullarët kanë punuar vetëm në palestër.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se portieri Thomas Strakosha, i cili u zëvendësua gjatë ndeshjes me Anglinë për shkak të një goditjeje që mori gjatë lojës, është duke u mbajtur nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi.
Gjendja e tij paraqitet e mirë dhe mjekët janë optimistë që ai mund të rikuperohet për ndeshjen e të hënës ndaj Andorrës në Arena Kombëtare.
Pjesa tjetër e lojtarëve nuk kanë shfaqur probleme fizike dhe janë të gjithë të gatshëm për sfidën e dytë të kualifikueseve. Pas seancës stërvitore Kombëtarja do të udhëtojë drejt Shqipërisë, ku do të mbërrijë gjatë orëve të pasdites.
Ditën e diel, në orën 16:45 do të zhvillohet konferenca zyrtare e trajnerit Sylvinho në stadiumin “Arena Kombëtare” dhe në 17:30 do të jetë stërvitja zyrtare, që do të jetë e hapur 15 minutat e para për mediat.
Ndërsa, Andorra do të zhvillojë konferencën zyrtare në ora 18:15 po në stadiumin “Arena Kombëtare” dhe seancën stërvitore në ora 19:00.