NJË ËNDËRR PËR REALITET! Sonte Shqipëri-Itali, besojmë te fitorja e “kuqezinjve”

NJË ËNDËRR PËR REALITET! Sonte Shqipëri-Itali,

Vetëm pak orë na ndajnë nga sfida me Italinë dhe besimi te një rezultat pozitiv është i madh tek të gjithë tifozët kuqezi.

8 vite nga kualifikimi për herë të parë në një Kampionat Europian, Silvinjo me djemtë e tij synojnë të shkruajnë një tjetër histori me Kombëtaren shqiptare.

Ëndrrat bëhen realitet për ata që besojnë, e ëndrra për të prekur edhe njëherë një fazë finale të Kampionatit Europian u realizua për Kombin shqiptar.

Ishte 27 marsi i vitit 2023, kur Shqipëria nisi fushatën kualifikuese për ‘EURO 2024’ nga Varshava, aty ku ‘kuqezinjtë’ dolën të mposhtur me rezultatin 1-0, por u larguan nga fusha me kokën lart, pasi paraqitja e skuadrës dha shpresë se kjo përfaqësuese mund të shkonte larg.

Me në krye një trajner energjik e largpamës si Silvinjo, që injektoi tek lojtarët tanë ‘samba-n braziliane’, Shqipëria nuk u ndal më pas.

4 fitore dhe 3 barazime, bën që ‘shqiponjat’ të ngjiteshin në krye të grupit E, duke lënë pas Çekinë, Poloninë, Moldavinë e Ishujt Faroe.

Në ‘folenë’ Air Albania djemtë tanë na dhuruan emocione të papërshkrueshme, me fitoret ndaj moldavëve, polakëve dhe çekëve, teksa golat e ‘kuqezinjve’ bënin xhiron e botës.

Një meritë e padiskutueshme e teknikut brazilian, që solli një frymë ndryshe në ekip dhe i ndryshoi imazhin Kombëtares.
8 vite pas pjesëmarrjes së parë historike në ‘EURO 2016’, Kombëtarja shqiptare dhe të gjithë tifozët e saj, sonte në mbrëmje do të shijojnë edhe njëherë momentet e paharrueshme.

Rreth 50 mijë zemra ‘kuqezi’ priten të rrahin në ‘Signal Iduna Park’ të Dortmundit, si gjithmonë të gjendur pranë skuadrës, kudo që ajo luan. Përballë kemi kampionët në fuqi të Europës, Italinë.

Në letër, sigurisht ‘axurrët’ vijnë si favoritë për ta fituar këtë ndeshje, por ajo që do të flasë në fund është fusha e blertë.

Në futboll gjithçka mund të ndodhë, prandaj ‘kurrë mos thuaj kurrë’.
Vetëm pak orë na ndajnë nga takimi me historinë.
Hajde djema, ju mund t’ja dilni!

EMISIONET