Nga mosha 12-vjeçare me stemën e Teutës, Gorea: Krenari që jam kapiten, s’mendoj të lëviz kurrë

Një lajm i pazakontë vjen në "Sport Focus", në "Ora News", nga bota e basketbollit shqiptar, ku kapiteni i skuadrës së Teutës, Kristi Gorea ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me të ardhmen e tij sportive. Gjatë intervistës, lojtari theksoi se nuk ka asnjë synim për të ndryshuar skuadër, duke i qëndruar besnik qytetit dhe klubit ku u formua që në moshën 12-vjeçare.
Ndërsa lëvizjet nga njëri ekip në tjetrin shpesh konsiderohen si hapa pozitivë për rritjen profesionale të një atleti, kapiteni durrsak ka një tjetër qasje.
I frymëzuar nga figurat legjendare dhe "flamujt" e sportit botëror si Paolo Maldini, Totti, Del Piero në futboll, apo Kobe Bryant dhe Dirk Nowitzki në basketboll, ai dëshiron ta mbyllë karrierën e tij aty ku e nisi. Kjo zgjedhje konsiderohet si një anë më romantike e sportit, me synimin e qartë për të lënë një shembull pozitiv për brezat e rinj.
Gjatë bisedës, vëmendja u ndal edhe te gjendja aktuale e basketbollit në Shqipëri. Ndonëse futbolli mbetet sporti më i mbështetur dhe ka prioritet absolut me akademi të shumta, basketbolli vazhdon të gëzojë popullaritet. Sipas kapitenit, si sporti i dytë në vend, basketbolli nuk vuan nga mungesa e masivizimit dhe po vazhdon të përqafohet me ritme të larta nga të rinjtë.
Ndiqni intervistën e plotë:

