Nga Girona, te Aston Villa, Leverkusen e Nice, ja "hirushet" që po surprizojnë Europën
Sezoni futbollistik po dhuron emocione në ligat kryesore të Europës, me të veçantën që në secilën prej tyre ka spikatur tanimë nga një hirushe e kampionatit, surpriza që askush nuk e priste, por që i befason të gjithë.
Kur ke të bësh me skuadra të mëdha të ndërtuara për të fituar gjithçka, duhet të shpikësh diçka, dhe në Spanjë po e bën Girona, që mundi Barcelonën dhe udhëheq e vetme La Ligan.
Skuadra e Michel, që është pjesë e City Football Group, para së gjithash është e bukur për t’u parë, dhuron spektakël çdo ndeshje dhe ul apo rrit ritmin duke alternuar fazat e presingut.
Komplimenti më i bukur erdhi nga trajneri i Barcës, Xavi që deklaroi, “Propozimi i tyre i lojës është padyshim më i miri që kam parë deri tani. Janë kurajozë”!
Girona, jo rastësisht ka sulmin më të mirë të La Ligas, 38 gola, dhe të dielën i futi 4 Barcës duke e cuar 7 pikë larg.
Nuk do të jetë e lehtë të luftojnë deri në fund për titullin kampion, por ndërkohë Michel shijon xhevahirët e tij, duke nisur nga Savinho, talenti brazilian në pronësi të Troyes, duke vazhduar me Yan Couto apo Eric Garcia, pa harruar eksperiencën e Blind, Stuani e Portu.
Një miksim perfekt eksperience dhe rinie, deri më tani eksploziv.
Mund të jetë një rastësi, por edhe në Bundesliga ka një tjetër spanjoll që është njeriu i momentit, Xabi Alonso.
Bayer Leverkusen udhëheq klasifikimin me 4 pikë më shumë se Bajerni, dhe luan një futboll të bukur.
Skema është 3-4-2-1, presingu total një element thelbësore dhe rinisjet e shpejta me vertikalizimet që shpërblejnë lëvizjet e Victor Boniface.
Pas 14 javësh aspirinat janë ende të pamposhtur, me 11 fitore dhe 3 barazime, i fundit ndaj Shtutgartit surprizës tjetër në Bundesligë.
Skuadra e Hoeness është forca e tretë në Gjermani, e udhëhequr nga Sehrou Guirassy, autor i 16 golave që ka përfunduar në agjendën e merkatos së disa prej klubeve më të mëdha të Europës.
Në Premier League feston me të mëdhenjtë Aston Villa e Unai Emery, e aftë të mposhtte Cityn dhe Arsenalin në harkun e 4 ditëve.
Falë suksesit ndaj “topçinjve”, Villans kanë siguruar fitoren e 15 radhazi para tifozëve të tyre, duke vendosur një rekord për klubin.
Vendi i tretë është absolutisht i merituar, edhe pasi ju dhanë një leksion të vërtetë futbolli kampionëve të Anglisë dhe të Europës.
Pothuajse kurrë në epokën Guardiola City i tij nuk ishte vënë kaq në vështirësi dhe humbja 0-1 është shumë e butë madje për atë çfarë u pa në fushë.
Emery rreshton zakonisht skuadrën me një 4-4-2 shumë kompakt dhe ka pikë force agresivitetin në presing.
Bailey apo Diaby me shpejtësinë e tyre nxjerrin jashtë loje kundërshtarët, ndërsa Tielemans, Douglas Luiz dhe McGinn formojnë një mur të pakalueshëm në mesin e fushës.
Në Serie A është i jashtëzakonshëm rrugëtimi i Bologna-s që falë fitores në Salerno shkoi në vendin e katërt përkrah Romës në zonën Champions.
Skuadra e Thiago Motta, edhe pse e dënuar nga dëmtimet, ka humbur vetëm me Milanin dhe Fiorentinën, teksa ka ndalur Interin, Juventusin dhe Napolin duke siguruar nisjen e dytë më të mirë të kampionatit në gjithë historinë e saj.
Tekniku italo-brazilian ka ditur të formojë një grup që ecën në të njëjtin drejtim duke i dhënë një lojë të qartë teksa njeriu kopertinë është Joshua Zirkzee por holandezi përfiton nga loja e gjithë skuadrës.
Ka shumë Itali te Nice, e dyta në Ligue 1 pas shpatullave të PSG. Francesco Fariolo dishepull i Roberto De Zerbit është trajneri i ri i skuadrës që po befason në Francë dhe madje mposhti dhe Mbappe me shokë.
Nice kërkon të dominojë zotërimin e topit, por pika e madhe e forcës është organizimi pa top dhe kompaktësia në mbrojtje. Vetëm 6 gola të pësuar në 15 ndeshje, që e bëjnë mbrojtjen më të mirë të Europës në kampionatet elitare, bashkë me PSV.