Në pritje të finales së madhe/ Duka për Rtv Ora: Organizimi nga UEFA dhe FSHF, benefitet për të gjithë. Skeptikët do marrin përgjigje pas ndeshjes

Një rrugëtim i gjatë por që në fund u finalizua me një sukses të jashtëzakonshëm. Kështu e përshkruan kreu i FSHF-së, Armand Duka, mbajtjen e finales së UEFA Europa Conference League në kryeqytet mes Romës dhe Feyenoord mbrëmjen e të mërkurës në "Air Albania", në 21:00.

Edhe pse politika ka nxituar përgjatë këtyre ditëve të marrë sa më shumë merita nga ky sukses, Duka vë pikat mbi "i".

Përgjegjësia e organizimit është e UEFA-s dhe Federatës, por benefitet shkojnë për të gjithë, e kryesisht për imazhin e Shqipërisë dhe turizmin.

Në një intervistë për "Ora e Betit" në Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja, ai ka një përgjigje edhe për skeptikët që kanë qenë dyshues që kur Tirana u përzgjodh për këtë finale, por do të duhet të presin mbarimin e eventit.

Shitjen e biletave në tregun e zi e pranon, por jo në përmasat e një fenomeni që të cënojë aktivitetin.

Sa i takon sigurisë në stadium, ai thotë se janë marrë të gjitha masat që mos të prishet bukuria e kësaj finaleje.

Sebastian Zonja: Një finale e rëndësishme vjen në Tiranë. Sytë e gjithë tifozerisë së Europës janë kthyer në Tiranë. Mijëra tifozë të Romës dhe Feynoord kanë mbërritur tashmë. Si u mundësua që të kemi një finale kaq të rëndësishme në kryeqytet?

Armand Duka: Jemi para faktit, pak orë para ndeshjes dhe ajo që është bërë për të ardhur deri këtu ka qenë një rrugëtim i gjatë. Ka qenë një objekt i hershëm i yni që në projektin e ndërtimit të stadiumit, që kur filloi ai projekt menduam që organizimi i një finalje në Tiranë do të ishte qershia mbi tortë për Shqipërinë dhe filluam të mendojmë për të. Kemi aplikuar për një finale të një Superkupe në atë kohë në Tiranë, por duke qenë se stadiumi ishte thjesht projekt në letër dhe ne e dinim se ishte pothuajse e pamundur për ta marrë në atë kohë. Gjithësesi stretgjikisht ishte mirë, kemi aplikuar dhe një herë të dytë dhe pastaj dukej si detyrim që ne që se kishim marrë dy herë duhet ta mernim në aplikimin e tretë. Në një lloj mënyrë ishte fat se kaluam nga Superkupa në finalen e Conference Leagues. Është një kompeticion shumë më i rëndësishëm, shumë më i gjatë. Zgjat një vit nga fillimi për të ardhur në Tiranë ndërsa Superkupa është thjesht një ndeshje honorifike. Ka më shumë mbështetës, më shumë atmosferë dhe më shumë interes nga e gjithë bota e futbollit dhe më gjerë. Rrugëtimi ka qenë i gjatë, është bërë një punë e madhe organizative nga ne si partner zyrtar i UEFA-s, nga vetë UEFA që është udhëheqësi, nga të gjithë institucionet shqiptare, qeveria e Shqipërisë. Të gjithë janë të impenjuar që të dalë sa më mirë, që çdo njeri që të vijë në Shqipëri, çdo njeri që ta përcjellë përmes ekraneve, mikrofonëve, portaleve apo gazetave ta shohë dhe pse jo të krijojë një opinion akoma më të mirë për Shqipërinë dhe pse jo të jetë një promovim jo vetëm për futbollin shqiptar, por për Shqipërinë në përgjithësi dhe turizmin shqiptar.

Sebastian Zonja: Ju thatë është punë ndërinstitucionale por FSHF dhe UEFA kanë peshën kryesore. Mos ndoshta politika ka ndërhyrë pak më shumë, si e shihni qasjen e politikës?

Armand Duka: Organizatori i këtij eventi është UEFA, ai që vendos se ku do të zhvillohet një finale është Komiteti i Ekzekutiv i UEFA-s. Partneri zyrtar i UEFA-s në çdo vend janë Federatat respektive. UEFA është një shoqatë në të cilën jemi 55 anëtarë dhe 1/55 që është Shqipëria nuk është pak në një organizatë të tillë. Por asgjë nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e të gjithë institucioneve të tjera sepse pavarësisht se organizatori dhe përgjegjësia kryesore është e UEFA-s dhe Federatës, përfituesit janë shumë më shumë.  Përfiton i gjithë vendi, përfiton ekonomia e vendit një benefit direkt që llogaritet 140 mln euro gjatë gjithë këtij aktiviteti, përfiton imazhi i ekonomisë së vendit, të gjithë. Kështu që duhen ndarë benefitet nga përgjegjësitë organizative. Përgjegjësitë organizative janë të UEFA-s dhe tonat.

Sebastian Zonja: Zoti Duka ju pamë krah zotit Veliaj, e kemi përcjellë në Televizionin Ora një situatë të tensionuar që ka qenë midis jush. Bashkëpunim institucional apo ka diçka më tepër?

Armand Duka: Në fakt nuk ka pasur asnjëherë një situatë të tensionuar mes nesh, thuhet rëndom kështu mes nesh, por ka qenë një sulm i kryetarit të Bashkisë karshi meje. Nuk ka pasur asnjë përgjigje nga unë. Qëndrimi im ka qenë, është dhe do të jetë: Unë do të merrem me punët e mia, do të merrem me organizimin e sportit, me baltë nuk merrem. Kur ka kritika, jo vetëm nga kryetari i Bashkisë, por kritika konstruktive që kanë bazë i mbaj shënim nga çdo aktor i botës së futbollit apo atyre që konsumojnë futboll. Kur ka baltë apo qëllime të tjera politike nuk më intereson të harxhoj kohën me to.

Sebastian Zonja: Të mbetemi te ndeshja. Tek-tuk gazetarët në Holandë apo Romë kanë folur për probleme sigurie që mund të ketë Tirana.

Armand Duka: Ka skepticizëm, ka pasur skepticizëm që në emërimin, vendimmarrjen që finalja e Conference League të jetë në Tiranë, që në konferencën e parë për shtyp që ka bërë presidenti i UEFA-s. I është thënë pse në Tiranë, kur ka vende të tjera si Gjermania, Franca etj. Por futbolli nuk është  vetëm i Gjermanisë, Francës apo vetëm i holandezëve. Futbolli është i të gjithëve. Dhe ne jemi pjesë e këtij futbolli, dhe ne kemi kontributin  tonë. Përderisa ne plotësojmë kriteret e vendosura, pse jo një aktivitet i tillë të jetë dhe në Tiranë. Skepticizëm se ne nuk dimë ta bëjmë, do t'ja japim përgjigjen pas ndeshjes që ky do të jetë një aktivitet perfekt, mbase më i mirë se gjithë të tjerat.

Sebastian Zonja: Keni projekte për stadiume të tjera? "Air Albania" e thithi një kompeticion.

Armand Duka: Stadiume me kapacitet më të madh se ky në Shqipëri për një periudhë relativisht të gjatë është vështirë që të ndërtohen por përmirësimi apo ndërtimi i impianteve me kapacitete aq sa janë popullsitë respektive nëpër qytete, padiskutim që projektet do të vazhdojnë. Ne sot kemi katër stadiume në të cilat mund të zhvillojmë aktivitete ndërkombëtare që janë "Zeqir Ymeri"në  Kukës, "Loro Boriçi" në Shkodër, "Elbasan Arena" dhe "Air Albania". Me këto katër stadiume mund të bëjmë aktivitete europiane dhe do tentojmë ti bëjmë si kampionate europiane për fëmijë, për të rinj, nën 17 apo 19 vjeç. Nuk kanë peshën e kësaj finaleje por gjithësesi janë evente të rëndësishme se në fund janë kompeticione europiane dhe të sjellin benefite pothuajse të njëjtit tip, por jo të njëjtit nivel si ky i finales së Conference League.

Sebastian Zonja: Cilët janë disa personalitete që vijnë në Shqipëri?

Armand Duka: Janë shumë, drejtuesit politikë të gjithë Federatave europiane pothuajse, presidenti i UEFA-s, zëvendëspresidentët e UEFA-s. Presidenti i Federatës Italiane, i Federatës holandeze dhe i federatave të tjera. Janë dhe shumë personalitete të botës së futbollit të luajtur që janë akoma më të njohur për sportdashësit apo opinionin publik shqiptar. Do jetë dhe ikona e futbollit të Romës Francesco Totti  bashkë me Vincent Candela e Gigi Di Biagio.

Sebastian Zonja: Biletat e tregut të zi, mund të parandalohet?

Armand Duka: Nuk besoj të ketë diçka të organizuar më mirë sesa shpërndarja e biletave nga UEFA, qoftë për këtë kompeticion apo kompeticione të tjera. Merren të gjitha masat që të ketë sa më pak abuzime. Biletat janë elektronike, nuk lejohet të kalojnë  apo transferohen më shumë se dy herë se bllokohen.Por gjithësesi abuzuesit apo përfituesit në çdo rast janë një hap para dhe gjejnë mënyrë por nuk është fenomen masiv. Përsa kohë një njeri e ka biletën në dorë nuk do shkosh t'ja marrësh nga dora për t'ia dhënë një tjetri. Por nuk cënon asgjë në këtë event.

Sebastian Zonja: Siguria në stadium, ka pasur raste që thyhen karrige, është çështje e FSHF apo policisë? Si ndahet?

Armand Duka: Përgatitjet sidomos për Security ka mbi tre muaj që kanë filluar me ekspertët më të mirë të UEFA-s. Kanë trajnuar me specialistë ndërkombëtarë apo kanë bashkëpunuar me policinë shqiptare, kanë trajnuar shumë stjuartë, janë mbi 400 vullnetarë. Janë marrë të gjitha masat që çdo gjë të jetë perfekt. Një huligan ndodh që edhe e thyen një karrige, ndodh që fut një flakadan në stadium. Por shumë e vështirë, është menduar që të mos ndodhin ngjarje që të cënojnë bukurinë  eventit, komoditetin e shumicës. Shumica vjen në stadium për të parë një spektakël, për tu kënaqur dhe jo për të parë dhunë, luftë apo incidente.

EMISIONET