Miqësoret/ Partizani dhe Tirana ndalen në barazime vere
Ditë pjesërisht pozitive për dy ekipet e kryeqytetit në miqësoret e radhës. Partizani në Slloveni nuk u mjaftua me një gol të Muratajt në pjesën e parë kundër vendasve të Jadran Dekanit të cilët barazuan. Ndërkohë, Alban Hoxha u bë protagonist pasi priti një penallti por një tjetër e humbi Bruno Telushi. Ky është rezultati i dytë pozitiv për të kuqtë pas fitores me Muran pak ditë më parë.
Ndërkohë, Tirana dhe rumunët e Hermannstadt u ndalën në një barazim të bardhë në Turqi. Bardheblutë që do të ndeshen edhe me Fenerbahçe nuk harxhuan shumë energji dhe u treguan të matur.
Ekipi i Shehit do të sfidojë Dundelange në raundin e parë të Champions League ndërsa Partizani duelon me Saburtalon në Conference League. Ndërkohë, një lajm i mirë vjen për të dyja klubet pasi drejtuesit e "Air Albania Stadium" kanë vendosur të hapin dyert për sfidat e skuadrave kryeqytetase në datat 12 dhe 14 korrik edhe pse fillimisht u bë me dije që stadiumi ishte në fazë rikonstruksioni.