Manchester United humbi derbin me Cityn, Ten Hag surprizon: Po bëjmë përparim
Manchester United nuk arriti të përballonte Manchester Cityn në derbin e qytetit, edhe pse e mbylli në avantazh pjesën e parë.
Në fund 3-1 për kampionët në fuqi, të cilët vijojnë garën për titullin me Liverpoolin dhe Arsenalin.
Ndërkohë, “Djajtë e Kuq” renditen të gjashtit me 44 pikë, 11 pikë larg zonës Champions.
Distancë e madhe me Aston Villën, diçka që e pranon edhe Erik ten Hag, i cili duket i dorëzuar dhe pranon se objektivi i skuadrës së tij është vendi i pestë.
“Djemtë dhanë gjithçka, të gjithë padyshim, edhe Evans e Rashford që nuk ishin në 100% të formës.
Mendoj se performanca ishte shumë e mirë dhe padyshim që jemi të zhgënjyer me rezultatin.
Sa keq, pasi Rashford kishte shanse të shënonte edhe golin e dytë. Gjithashtu Garnacho pati mundësi t’i ndëshkonte. Derbi u vendos nga detajet, pasi gabimet ishin shumë të vogla.
E gjithë merita i shkon padyshim Cityt, për mënyrën se si ata luajnë dhe si sulmojnë, por mënyra se si u mbrojtëm ishte vërtet pozitive.
Po bëjmë përparim si skuadër. Është një kampionat ku mund të fitosh dhe humbësh ndaj çdokujt. Ne duhet të fitojmë ndeshjet që kanë mbetur.
Vendi i pestë mund të sjellë kualifikimin në Champions, kështu që ne duhet të luftojmë për ta siguruar atë pozicion”, deklaroi tekniku holandez i United.