Lojtari i Zvicrës: S’do jem bodigard i Granit Xhakës, nëse sulmohet në Serbi
Remo Freuler është prej lojtarëve të rëndësishëm në përfaqësuesen e Zvicrës në futboll.
Të enjten paradite ai është paraqitur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Serbinë, që zhvillohet të shtunën në Leskovc.
Mediat zvicerane kanë shkruar se Freuler e ka gruan serbe dhe i di disa fjalë serbisht.
Mesfushori 32-vjeçar ka folur për këtë në konferencë për shtyp.
“Është ndeshje e zakonshme kualifikuese, ka të bëjë me futbollin dhe asgjë tjetër. Të afërmit do të thonë disa fjalë si ‘mos shëno gol ndaj nesh’, përndryshe është ndeshje normale. Nuk kam bast me gruan time”, ka thënë Freuler.
Ai ka treguar se në verë i ka kaluar pesë ditë në Beograd. Pasi gruaja e tij flet shumë me fëmijët, edhe Freuler i ka mësuar disa fjalë serbisht.
Sa i takon ndeshjes, ai nuk pret telashe. “Disa provokime janë normale, por duhet të ketë vetëm futboll”.
Më pas Freuleri është pyetur nëse do të jetë përkrah Xhakës si bodigard nëse kapiteni i Zvicrës sulmohet.
“Qartë se nuk jam bodigard i Xhakës. Nuk mendoj se do të ketë nevojë. Asgjë nuk do të ndodhë”, ka thënë mesfushori, sipas “20min.ch”.