KOSOVA ZHGËNJEN NDAJ RUMANISË/ Kurti kërkon mbështetje për lojtarët: Është vetëm fillimi!

KOSOVA ZHGËNJEN NDAJ RUMANISË/ Kurti kërkon mbështetje

Kosova e ka nisur me humbje edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke zhgënjyer në stadiumin “Fadil Vokri” 0-3 ndaj Rumanisë.

I pari që e dërgoi topin në rrjetë ishte Man në minutën e 40, duke i dhënë epërsinë rumunëve që në pjesën e parë.

Më pas ishte Marin ai që dyfishoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 51-të.

Goditja e fundit për Kosovën erdhi në minutën e 82-të nga Dragush, i cili vulosi rezultatin në 0-3.

Humbja 0-3 në Prishtinë ndaj Rumanisë ka zhgënjyer së tepërmi tifozerinë.

Reagimi i tifo-grupit “Dardanët”, ka qenë edhe më I ashpri.

“Kjo sonte është e tepërt! Këta tifozë nuk e meritojnë këtë zhgënjim. Nëse nuk e ndjeni këtë fanellë si na tifozët, nuk e meritoni ta veshni fanellën dardane”, thuhet në postimin tyre.

Ndërkohë pavarësisht rezultatit, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar mbështetje për kombëtaren verdheblu.

“Ekipi ynë pati një mbrëmje të vështirë. Nuk ishte fillimi që e dëshiruam, por megjithatë është vetëm fillimi. I njëjti grup i lojtarëve na kanë ngritur aq shpesh në këmbë duke përjetuar ndjenja gëzimi me golat e tyre. Tani është radha që ne t’i ngrisim ata në këmbë me mbështetjen tonë. Unë jam i bindur në dëshirën, motivin edhe në aftësitë e tyre. Sfidat tejkalohen më lehtë bashkë. Forca Kosovë!”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Kosova ndeshjen e ardhshme për këtë muaj e luan të hënën më 9 shtator ndaj Qipros në Larnaca.

EMISIONET