Interi pas 10 vjetësh në 1/8, Milani ka dy mundësi për t’u kualifikuar
Në Shqipëri janë mijëra tifozë të Interit dhe Milanit. Të parët festuan dje rikthimin në fazën me eliminim direkt pas plot 10 vjetësh, në 2011 hera e fundit kur zikaltërit drejtoheshin nga Ranieri teksa u eliminuan nga Marseille në mars. Në vitet e fundit Interi ishte ringritur në kampionat dhe 1 herë me Spallettin dhe dy herë me Conten dështoi të arrinte 1/8 e Championsit dhe dje fitorja e Realit u riktheu ndjesinë se mund të bëjnë gjëra më të mëdha në Europë.
Në kampin tjetër, Milani shtypi lojën karakteristike të Simeones duke i dhënë një leksion këtij të fundit. Kuqezinjtë me fitoren 1-0 jo vetëm që bindën dhe morën atë që meritonin por tashmë kanë edhe shpresa konkrete për të avancuar më tej por duhen disa kombinime.
Fillimisht kuqezinjtë duhet të mposhtin Liverpoolin në “San Siro”, që nuk është e pamundur pasi “The Reds” janë kualifikuar plus edhe në dhjetor kanë kalendar të ngjeshur ndaj nuk pritet të jetë me të gjithë titullarët.
Së dyti, me fitoren e kuqezinjve, Porto dhe Atletico Madrid duhet të barazojnë për të kualifikuar direkt ekipin e Piolit.
Nëse Porto mund Atleticon dhe Milani merr 3 pikë, atëherë do të kalonte ekipi portugez dhe kuqezinjtë do të shkonin në Europa League.
Por ka edhe një mundësi tjetër kualifikimi në 1/8 për Milanin që sigurisht nuk duhet ta diskutojë fitoren me Liverpoolin dhe nëse Atletico fiton ndeshjen atëherë këto dy skuadra do të shkonin me pike të barabarata por edhe me ndeshje direkte si të barabarta.
Atëherë do të shikohej diferenca e golave që është për momentin në favor të Milanit.
Por nëse Milani fiton 1-0 me Liverpoolin dhe Atletico mund 2-0 Porton, atëherë edhe diferenca e golave do të ishte e barabartë dhe aty do të vlerësohej më pas numri i kartonave që kanë marrë ekipet në këto ndeshje./Ora News/.