Interi bën llogaritë për titullin, synohet festa pas fitores në derbi ndaj Milanit

Interi bën llogaritë për titullin, synohet festa pas fitores

Interi kryeson kampionatin italian me meritë, me 9 pikë më shumë se Juventusi, distancë që mund të shkojë në 12 nëse zikaltrit do të arrijnë të fitojnë në sfidën e prapambetur me Atalantën, e planifikuar për të mërkurën në mbrëmje.

Motivimi te skuadra zikaltër është shumë i madh, pasi duan të mbyllin sa më shpejt llogaritë e kampionatit, për t’u përkushtuar në maksimum edhe në Champions League, kur pas fitores ndaj Atleticos së Madridit, kanë hedhur një hap drejt çerekfinaleve.

Megjithatë në kampin e Interit po bëjnë edhe një tjetër llogari, atë të të shpallurit zyrtarisht kampionë në derbin ndaj Milanit, i planifikuar për t’u zhvilluar më 21 prill dhe i vlefshëm për javën e 33-të të Serisë A.

Me llogaritë në dorë, zikaltrit duhet të shkojnë në derbi me 16 pikë diferencë nga vendi i dytë, ose me 13 nëse në vendin e dytë do të jetë Milani, në mënyrë që të fitojnë ndaj kuqezinjve dhe të hapin zyrtarisht shampanjën e titullit.

Deri tani nuk ka ndodhur kurrë që një Milani ose Interi të festojnë titullin pas një triumfi në derbi, ndonëse zikaltrit ishin pranë një situate të tillë në 2008-ën, por asokohe humbën ndaj kuqezinjve dhe e ngritën trofeun vetëm në javën e fundit.

EMISIONET